Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Çfarë mbreti do të jetë Charles III?

Charles, djali i madh i mbretëreshës Elisabeth II do të trashëgojë më në fund fronin e Mbretërisë së Bashkuar.

Ai ka lindur në Buckingham Palace. Ishte vetëm tre vjeç kur nëna e tij u bë mbretëreshë dhe nëntë vjeç kur mori titullin Princ i Uellsit.

Në fëmijëri ai mori mësime në piano, trumpetë dhe violonçel, instrument ky i fundit të cilin vazhdoi ta luante, duke u bërë pjesë e orkestrës gjatë viteve të universitetit.

Ndryshe nga trashëgimtarët e mëparshëm të fronit që mësoheshin nga mësues privatë, Mbretëresha dhe Princi Philip vendosën që djali i tyre i madh të shkonte në shkollë.

Paçka se në institutin që ndoqi në Skoci ka qenë i bullizuar dhe i veçuar nga shokët e klasës, ai u bë trashëgimtari i parë që fitoi një diplomë universitare.

Ai studioi Histori në Universitetin e Kembrixhit, në Kolegjin Trinity.

Në vitin 1970 Charles zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve dhe katër vjet më vonë mbajti fjalimin e tij të parë në dhomën e lartë të parlamentit britanik mbi mënyrat më të mira për të përdorur kohën e lirë.

Në vitin 1994 ai pranoi publikisht se e kishte tradhtuar gruan e tij, princeshën Diana. Ai specifikoi se në atë moment martesa ishte dëmtuar në mënyrë të pariparueshme.

Divorci midis tyre ndodhi në gusht 1996.

Në pronën në Skoci, Charles prodhon një sërë produktesh organike, nga biskotat te salsiçet dhe reçelrat, të cilat mbajnë emrin e Duchy Originals.

Të ardhurat përdoren për bamirësi.

Por çfarë sovrani do të jetë ai?

Charles III është mbreti më i vjetër që ngjitet në fronin britanik pas një jete të kaluar nën hijen e një nëne gjigante.

Për këtë kurorë që është një barrë dhe një trashëgimi e madhe për t’u menaxhuar, nuk janë të paktë ata që kanë ngritur dyshime për aftësinë e tij për të garantuar të ardhmen dhe stabilitetin e monarkisë.

Nuk është rastësi që qytetarët kanë treguar vazhdimisht se preferojnë William-in në fron, duke anashkaluar një brez.

Megjithatë, parimi dinastik nuk preket, vetë kuptimi i institucionit monarkik është në rrezik, pasi nuk është një garë popullariteti.

Elizabeth II e bëri heshtjen normë të sajën. Duke qëndruar gjithmonë mbi palët, pa shprehur kurrë një mendim ose një preferencë.

Kurse Charles III ka shumë preferenca dhe nuk ka ngurruar t’i shprehë.

Dihen letrat e tij drejtuar ministrave, të shkruara me shkrime të pakuptueshme, me të cilat ai ndërhynte në punët e shtetit.

Ndryshe, një mbret ndërhyrës.

Megjithatë, Charles ka qenë një pararojës në shumë tema, duke filluar nga mbrojtja e mjedisit, pasioni i tij i vërtetë, aq sa në moshë të re ai e kishte shndërruar Highrove, rezidencën e tij në fshat, në një oaz të biodiversitetit.

Madje, njerëzit talleshin me të kur thoshte se u fliste bimëve.

Përballë katastrofës klimatike u bë e qartë se kishte të drejtë. Prandaj fjalimi i tij në COP26 ishte ndër më të dëgjuarit.

Me fjalë të tjera, një mbret “i gjelbër”.

Ama e shoqërojnë edhe shumë çudira.

Si historia që kur udhëton merr ndenjësen e tualetit, sepse nuk do që të ulet mbi të tjera, apo ajo e shërbëtorit që ka për detyrë të vendosë pastën e dhëmbëve te furça.

Si mund të lidhet një personazh i tillë, jeta e të cilit nuk ka pasur kurrë asgjë normale, me qytetarët e shekullit të XXI-të?

Ndoshta është kjo shkëputje nga realiteti që është shfaqur hapur kohët e fundit, kur u zbulua se kishte pranuar valixhe të tëra me para nga emirët arabë apo edhe financime nga familja e Bin Ladenit.

Edhe pse asgjë nuk shkoi në xhepat e tij por te fondacioni, më shumë kujdes nuk do kishte qenë keq.

Për të gjitha këto ekziston frika se shumë nga vendet që deri më tani kanë pasur mbretëreshën në krye të shtetit do të vendosin të shkëputen nga Kurora.

Barbados e ka bërë tashmë, Xhamajka është ndoshta e ardhmja e shpejtë.

Sepse një gjë është të kesh fytyrën e qetë të Elizabeth në portretet me kornizë, tjetër fytyra e Charles me gjithçka që ai sjell me vete.

Për këtë arsye edhe vetë fati i Commonwealth-it mund të vihet në pikëpyetje.

Beteja e madhe personale që Charles arriti të bënte ishte të kishte Camilla-n në krah si bashkëshorte mbretëreshë dhe jo si një dukeshë të thjeshtë.

Por kjo nuk do të thotë se Charles do të mund të shpëtojë nga hija e Diana-s. Ai do të mbetet mbreti që tradhtoi bashkëshorten e tij për t’u martuar me të dashurën dhe për ta vendosur atë në fron.

Sigurisht, Charles do të bëjë gjithçka që mundet për të mohuar paragjykimet që e ndjekin.

Kjo nuk ndalon askënd që të hamendësojë s mbretërimi i tij do të jetë jetëshkurtër dhe se garantimi i së ardhmes së monarkisë do të varet nga William dhe Kate dhe familja e tyre e bukur.

Duke shpresuar ndërkohë që mbreti aktual të mos shkaktojë shumë dëme.

LAJME TË TJERA >>