Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Brenda “Big Brother”- it kinez, i ndërtuar mbi teknologjinë e lartë dhe 1 miliardë spiunë

Në vitin 2021, një komisariat policie në Pekin publikoi një iniciativë mbi projektin “Sharp Eyes” (Sytë e Mprehtë). Përshkrimi i tij na jep një panoramë rrëqethëse se si do të jetë e ardhmja e mbikëqyrjes masive në Kinë.

Kamerat e sigurisë kapin automatikisht fytyrat e njerëzve dhe i përputhin ato me të dhënat e shtëpive me qira, ato spitalore, në hotele dhe shkolla, dhe përmbledhin një regjistër aktivitetesh të grupeve të ndryshme të njerëzve. Me të gjitha informacionet dhe të dhënat e mbledhura, do të krijohej një model alarmi për të identifikuar automatikisht aktivitetet jonormale.

“Nuk dihet ende me saktësi se si do të zbatohet ky model. Por i kombinuar me sistemin ekzistues të vëzhgimit të Kinës, projekti “Sharp Eyes” mund t’i lejojë punonjësit e komunitetit që të shkojnë në mënyrë pro-aktive në dyert e qytetarëve për të hetuar edhe një krim që ende nuk ka ndodhur, raporton abcnews.al.

Qëllimi i tij është të krijojë një sistem që synon “të parandalojë krimin përpara se të ndodhë”. Por si e krijojnë kamerat e sigurisë një sistem kaq të madh të një “përbindëshi dixhital”? Ai është rezultat i një sistemi mbikëqyrjeje, të cilin Kina e ka ndërtuar për 25 vjet.

Në vitin 1998, Ministria e Sigurisë Publike filloi zbatimin e projektit “Mburoja e Artë”, që u fokusua në ndërtimin e një platforme bazë të të dhënave dhe teknologjisë, si dhe një sistemi fillestar të censurimit të internetit. Projekti i mbikëqyrjes përmes video-kamerave të sigurisë në ambientet publike “Qyteti i sigurt” shfrytëzoi Lojërat Olimpike të vitit 2008 si një mundësi për ta shtrirë këtë projekt në të gjitha qytetet e mëdha dhe të mesme të Kinës.

Në atë fazë, Kina ende po mësonte. Në vazhdën e sulmeve terroriste të tilla si sulmet e 11 shtatorit në 2001 dhe shpërthimet në metrosë së Londrës në vitin 2005, departamentet e policisë në mbarë botën kishin instaluar kamera në vende publike në qytetet e mëdha për
të ndihmuar në ruajtjen e ligjit dhe rendit.

Por Kina ia kaloi shumë shpejt Perëndimin në teknologjinë e mbikëqyrjes. Pas vitit 2016, ky vend u bë tregu më i madh i mbikëqyrjes në botë, ku blerjet e qeverisë përbëjnë 60 për qind të tregut gjigant kinez në këtë fushë. Sipas analistëve, nga afro 1 miliardë kamerat e sigurisë sot në botë, më shumë se gjysma janë kineze.

Sipas kësaj llogaritjeje, 1 në çdo 4 kamera në botë blihen nga qeveria kineze. Në vitin 2017, një gazetar i BBC-së u lejua të sfidonte sistemin “Sky Eye”, dhe të realizonte një dokumentar në Guizhou në Kinën Jugperëndimore, ku në më pak se 7 minuta, fytyra e tij u skanua dhe identifikua nga një bazë të dhënash dhe më pas u kap nga policia.

Në vitin 2016, qeveria kineze filloi një fazë të re të sistemit të mbikëqyrjes në shkallë të gjerë të njohur si projekti “Sharp Eyes”. Ndërsa mbikëqyrja me video anembanë botës është e kufizuar vetëm në zonat kryesore publike në qytete, qeveria kineze dëshiron të arrijë një mbulim të plotë. Mbikëqyrja dhe kontrolli duhej të arriheshin në nivel qarku, vendbanimi dhe fshati. Menaxhimi i rrjetit, përfshin punonjësit e komunitetit që janë në krye të një rrjeti zonash të banuara. Tani vëzhgimi nuk përdoret më vetëm për të monitoruar grupe të veçanta njerëzish apo për të zbuluar vepra të veçanta penale. Ajo që bie në sy është se përdoruesit e sistemit të mbikëqyrjes janë zgjeruar nga policia tek njerëzit e zakonshëm, duke luajtur rolin e “kujdestarëve të banorëve”, dhe një e tillë mund të jetë edhe thjesht një gjyshe fqinje me ju.

Qeveria nuk është më kudo në një përplasje të drejtpërdrejtë me shoqërinë, por e përdor këtë të fundit për të monitoruar shoqërinë.

Një rrjet i dendur i mbikëqyrjes sociale shtrihet në 9.6 milionë kilometra katrorë, dhe një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh. Çdo vend dhe çdo individ do të jetë përfundimisht subjekt i një rrjeti specifik, dhe çdo rrjet ka mjaftueshëm kamera që mbledhin të dhëna, dhe prapa një personel që mbledh informacione për t’i paraprirë rreziqeve.

“Shteti i mbikëqyrjes” mishëron një zgjedhje të qartë të qeverisë kineze për qeverisjen sociale, e cila ndryshon nga shtetet e tjera autoritare eksplicite të “shtetit policor”. Nga njëra anë, Pekini bën gjithçka që kanë dorë për të mbledhur informacione sociale, dhe nga ana tjetër, është plotësisht vigjilent ndaj zhvillimit të tepruar të pushtetit policor.

Që të dyja tendencat janë bërë gjithnjë e më të dukshme në dekadën e fundit. Me zhvillimin e ekonomisë së tregut që nga vitet 1980, kufizimet në lëvizshmëri që nga epoka e Maos nuk mund të vazhdonin më për shkak të fluksit të fuqisë punëtore dhe rritjes së popullsisë.

Që nga mesi i viteve 1980 dhe deri më tani, popullsia e Kinës është rritur nga 1 miliardë në 1.4 miliardë, ndërsa veprat penale janë rritur në 4.7 milionë në vitin 2020, ose 9 herë më shumë se 40 vjet më parë. Por unik është fakti që Kina është gjithmonë e ndërgjegjshme në kufizimet që duhet të ketë një forcë policore tepër e fuqishme.

Edhe në vitet 1990, kur shkalla e krimit në Kinë kishte arritur kulmin, raporti polici/popullsi ishte 7.4 për 10 mijë banorë, shumë me e ulët sesa mesatarja botërore prej 35 policë për 10 mijë banorë. Në thelb të politikës së Pekinit ishin shqetësimet për “besueshmërinë politike” të forcës policore, kreu i së cilës u shkarkua për shembull së fundmi se ishte “i pabesueshëm politikisht” dhe jo se ishte i korruptuar.

Në mënyrë paradoksale, një sistem monitorimi që nënkupton një kontroll të fortë që nuk mund të kundërshtohet domosdoshmërisht nga popullata e mbikëqyrur. Në shumë filma të propagandës zyrtare, njerëzit e intervistuar janë të lumtur kur shohin zbatimin e projektit “Sharp Eyes”.

Madje komunitetet fqinje “konkurrojnë” me njëri-tjetrin se kush mund të instalonte i pari pajisjet e përgjimit. Kina e ka pagëzuar të gjithë këtë sistem të mbikëqyrjes sociale si “një sistem të mirëqenies”, pasi në konceptin e saj vetë “siguria” është përfitimi më i madh për njerëzit.

Në propagandën e Pekinit, vendet perëndimore – veçanërisht Shtetet e Bashkuara – portretizohen si me katastrofa dhe krime të pafundme, ndërsa Kina është “vendi më i sigurt në botë”. Fleksibiliteti që duhet të ketë një shoqëri normale, është bërë tashmë i papranueshëm në logjikën e regjimit në Kinë.

Psikologjia kulturore e shoqërisë kineze, është një tjetër element thelbësor për të kuptuar suksesin e Pekinit në zbatimin pa pengesa të projekteve të tij të mbikëqyrjes. Disa sondazhe kanë treguar se shumë njerëz i mbështesin programet e mbikëqyrjes, duke besuar se sakrifikimi i lirisë për “sigurinë” është një marrëveshje shumë e mirë.

PKK e ka vënë gjithmonë theksin tek koncepti i Maos për “rikthimin në linjën e masës”, pra për të arritur kontrollin social duke u dhënë njerëzve një ndjenjë të veprimit në vendimmarrje. Mbështetja tek e ashtuquajturën “masë” është ideja themelore e qeverisjes së PKK-së.

LAJME TË TJERA >>