Agresioni rus në Ukrainë është pak të thuhet se ka krijuar një frikë kolektive globale sa i përket çështjeve të sigurisë dhe apogjeu i kanalizimit të kësaj frike në konkretizim, do të ishte shpërthimi i një lufte bërthamore, e cila rrjedhimisht do të sillte edhe Luftën e Tretë Botërore në skenë.
Prej muajsh, bota i mban sytë për nga Ukraina dhe Rusia, por i gjithë kontinenti i vjetër apo edhe më tej, frikën e kanë të madhe për një përshkallëzim të shpejtë të situatës. Mbi të gjitha, kur krerë të lartë shtetërore botërore, vënë në gojë të tilla çështje.
“Lojën” e hapi fillimisht Rusia, me vënien në gatishmëri të armëve bërthamore, vetëm një javë pas nisjes së agresionit ndaj Ukrainës.
Pretendimi moskovit, ishte ai i një vetëmbrojtjeje nga gjithçka mund të ndodhte dhe prej asaj kohe, çështja e armëve bërthamore ra në qetësi.
Mirëpo, fillimi i gushtit, e risolli kauzën nukleare në dritë.
Do të ishte Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ai i cili do të ngrinte alarmin, duke thënë se “një përllogaritje e gabuar”, do të mjaftonte për një shfarosje bërthamore në masë.
Këtu, ai i referohet keqkuptimeve që mund të lindin mes vendeve, duke e vënë theksin tek lufta e tanishme, e cila retorikën politike mes lindjes dhe perëndimit, e ka tejet të ashpër.
Përgjigja indirekte mbi këtë retorikë politike, do të vinte nga presidenti rus, Vladimir Putin, në një letër që ai pati dërguar për t’iu adresuar një konference të zhvilluar në New York.
“Ne nisemi nga fakti se luftërat bërthamore nuk kanë fitues, ndaj dhe nuk duhen lëshuar asnjëherë armët bërthamore. Jemi të vendosur të qëndrojmë për sigurinë e pashkëputur të gjithë popullatës botërore”.
Ky ishte qëndrimi – të paktën ai zyrtar – i Putinit.
Kështu, duke theksuar se kreu i Kremlinit, ishte kundër përdorimit të armatimeve atomike, për shkak se asnjë fitues nuk do të kishte në rast të tillë.
Guterres, ishte pjesëmarrës pikërisht në të njëjtën konferencë në të cilën Putin iu adresua indirekt, kur foli mbi rrezikun bërthamor.
New York-u, në të tillë mënyrë, u bë epiqendra e vëmendjes botërore, për shkak të shkëndijave që u lëshuan.
Guterres, e vijoi edhe më tej shtjellimin e tij, duke thënë se deri tani, bota “ka qenë me fat që lufta bërthamore nuk ka shpërthyer”.
Pra, në këtë mënyrë, duke implikuar faktin se, në çaste të caktuara historike, kanë qenë premisat e duhura për nisjen e raketave.
Është e njëjta kohë edhe sot? Dhe, a i ka mbaruar botës “fati” që ka pasur deri tani?