“Unë mirëpres miratimin e rezolutës nga një shumicë e paprecedentë shtetesh me një thirrje të fortë ndaj Federatës Ruse që të ndalojë menjëherë sulmin tradhtar ndaj Ukrainës”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar shtetet që votuan pro rezolutës.
“Ju keni zgjedhur anën e duhur të tregimit. Shkatërruese për agresorin, rezultatet e votimit tregojnë bindshëm se një koalicion global anti-Putin është krijuar dhe po funksionon. Bota është me ne. E vërteta është pas nesh. Fitorja do të jetë e jona!”.
Menjëherë pas tij, përmes një Twitter-i, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka thënë se 141 vota janë pro paqes në Ukrainë.
“Vetëm 5 vota kundër: Rusia, Koreja e Veriut, Eritrea, Siria, Bjellorusia. Bota ka folur kundër agresionit rus! Diktatori i Rusisë duhet të dëgjojë njerëzimin!”.
Çfarë përmban rezoluta?
Dokumenti i nënshkruar nga Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, dhe homologia e tij amerikane Linda Thomas-Greenfield, ka për qëllim parësor dënimin e sulmit dhe ndalimin e mëtejshëm të tij nga ana e Rusisë në dëm të Kievit.
Gjithashtu, në të përfshihet edhe një pikë për ndihma humanitare për Kievin, si pasojë e një krize refugjatësh, të cilën Rusia e ka krijuar me agresionin.
Kjo çështje, edhe në bazë të rezolutës, mbart një peshë dhe rëndësi ndërkombëtare, pasi cenon paqen dhe sigurinë botërore.
“Si pjesëtarë të Kombeve të Bashkuara, duhet të zgjedhim”, shtrohet çështja në të. “Ose do t’i qëndrojmë Kartës së OKB-së, në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës, integritetit territorial të saj dhe pavarësisë, ose do t’i lejojmë Rusisë të na çojë pas në kohë, në epokën e imperializmit, kolonizimit dhe perandorive”.
Artikulimi vijon, duke parashtruar se me unitet, kësaj vuajtjeje, mund t’i jepet fund. Jo thjesht për njerëzit në Ukrainë, por për gjithë botën që zgjedh paqen dhe diplomacinë mbi luftën dhe agresionin.
“Si parim, ky dokument, nëse nënshkruhet nga vendet e tjera, është një votë pro botës së lirë”, përmbyllet rezoluta.