Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka siguruar Lituaninë për mbrojtjen e NATO-s dhe mbështetjen e SHBA-ve teksa filloi një vizitë të rrufeshme në tre shtetet baltike, të cilat janë gjithnjë e më në rrezik ndërsa Rusia po sulmon Ukrainën pa ndalim.
Ish-republikat sovjetike të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë janë të gjitha anëtarë të NATO-s dhe Blinken po synon sigurinë e tyre në rast se Rusia zgjedh të zgjerojë operacionet e saj ushtarake.
“Ne po forcojmë mbrojtjen tonë të përbashkët në mënyrë që ne dhe aleatët tanë të jemi të përgatitur”, tha Blinken të hënën, duke theksuar se angazhimi i SHBA-ve ndaj paktit të mbrojtjes reciproke të NATO-s është “i shenjtë”.
“Ne do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s nëse sulmohet”, tha ai, duke theksuar se, “askush nuk duhet të dyshojë në gatishmërinë tonë, askush nuk duhet të dyshojë në vendosmërinë tonë”.
Blinken hapi turneun e tij balltik në Vilnius, ku mbështetja lituaneze për rezistencën e Ukrainës ndaj pushtimit rus është e dukshme pasi shenjat e solidaritetit me ukrainasit janë të dukshme në shumë biznese dhe në ndërtesa publike dhe autobusë.
“Fatkeqësisht, përkeqësimi i situatës së sigurisë në rajonin e Balltikut është një shqetësim i madh për të gjithë ne dhe në mbarë botën”, tha presidenti lituanez, Gitanas Nauseda, për Blinken.
“Agresioni i pamatur i Rusisë kundër Ukrainës dëshmon edhe një herë se ai është një kërcënim afatgjatë për sigurinë evropiane, sigurinë e aleancës sonë”.
Nauseda tha se një politikë parandaluese nuk ishte më e mjaftueshme dhe se “mbrojtja përpara” tani ishte e nevojshme. Ai parashikoi se “Putin-i nuk do të ndalet në Ukrainë”.
“Është detyra jonë kolektive si komb që të ndihmojmë të gjithë ukrainasit me të gjitha mjetet në dispozicion”, tha Nauseda. “Duke thënë të gjitha, dua të them, në të vërtetë gjithçka do të thotë gjithçka, nëse duam të shmangim Luftën e Tretë Botërore. Zgjedhja është në duart tona”, e përmbylli ai.