Ish-presidenti i Federatës Botërore të Futbollit – FIFA, Sepp Blatter, dhe ish-shefi i Federatës Evropiane të Futbollit – UEFA, Michel Platini, u shpallën të pafajshëm në gjyqin për mashtrim.
Dyshja doli në gjyq për një pagesë prej 2 milionë frangash zvicerane, të bërë nga Blatteri për Platinin në vitin 2011.
Të dy mohuan keqbërjen, duke thënë se transferimi ishte një pagesë e vonuar për punën këshilluese të Platinit për FIFA-n.
“Unë nuk jam i pafajshëm në jetën time, por në këtë rast jam i pafajshëm”, tha Blatter pas arritjes në gjykatë të premten.
“E vërteta ka dalë në dritë gjatë këtij gjykimi”, tha Platini.
Gjyqi 11-ditësh u zhvillua në Gjykatën Penale Federale në Bellinzona të Zvicrës dhe përfundoi më 22 qershor.
Pagesa në fjalë është zbuluar pas një hetimi masiv për ryshfet dhe pastrim parash në FIFA, i cili ka nisur nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, në vitin 2015.
Arsyeja e pagesës nuk është bërë kurrë plotësisht e qartë, megjithëse supozohet se është bërë në prag të zgjedhjeve për kryesimin e FIFA-s – një pozicion i fuqishëm ky në sportin global.