Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, as nuk është bërë pishman dhe as nuk kërkon falje për deklaratën që ka bërë ndaj homologut të tij rus, Vladimir Putin, për të cilin tha se “nuk duhet lejuar të qëndronte në pushtet”.
I pyetur nga gazetarët në një konferencë për shtyp, Biden ia vuri theksin faktit se ajo deklaratë, ishte thjesht shprehje e “mllefit moral mbi mënyrën se si Putini ka vepruar në Ukrainë deri tani” dhe jo një thirrje për ndërrimin e regjimit në Moskë.
Megjithatë, në fjalët e tij, ai nuk e kthen pas e aq më pak të kërkojë falje mbi çfarë ka thënë.
“Askush nuk e beson se unë po flisja për të rrëzuar Putinin nga pushteti”, tha Biden. “Askush nuk e beson këtë. Ishte një shprehje e ndjesive të mia morale”.
Mbi deklaratën e Biden, pati shumë kontroversion edhe vetë në mjedisin politik amerikan.
Shtëpia e Bardhë, menjëherë pas fjalimit të presidentit amerikan në Varshavë, gjatë vizitës së tij në Poloni, doli me një deklaratë për shtyp, ku shkruhej se “Biden nuk kishte artikuluar ndërrimin e regjimit në Rusi”.
Një retorikë të tillë, u dënua edhe nga Kremlini, duke e cilësuar deklaratën si “të papërshtatshme”.
Një frikë ekziston në terrenin diplomatik, se Putini mund të mos e kapërdijë mirë atë çfarë Biden tha dhe ta shtojë agresionin në Ukrainë.
Ndërsa, vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë, e ka reagim të parë personal këtë karshi asaj çfarë ka thënë dhe nuk i ka hequr asnjë shkronjë gjuhës së tij politike kundrejt rivalit rus.