Shqipëria dhe Italia prej shekujsh kanë bashkërenduar një histori të bukur miqësie dhe shkëmbimi kulturor mes dy popujsh thuajse “vëllazëror”.
Nga qeveritë Berlusconi dhe Nano të fillim-viteve 2000 dhe më pas, marrëveshjet e arritura mes vendeve kanë rezultuar se funksionojnë duke favorizuar përfshirjen pozitive të komunitetit shqiptar në Itali dhe të një komuniteti italian gjithnjë e më të rëndësishëm në Shqipëri.
Lidhje që u konsoliduan simbolikisht me një rrugë kushtuar ish-kryeministrit Silvio Berlusconi 10 vite më parë në Kamzë.
Botimi online “Huffington Post”- i pari që e raportoi në Itali – komentoi si më poshtë: “Mes gjyqeve dhe dënimeve, ky është një ngushëllim i vogël për Silvio Berlusconi-n”.
Bashkia Kamëz e kishte publikuar në faqen e saj të internetit, duke shpjeguar kryesisht aspekte të natyrës teknike që qëndronin në themel të zgjedhjes, pa diskutuar për vlerën simbolike të tij.
“Kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, ka inauguruar sot nisjen e punimeve në rrugën ‘Silvio Berlusconi’ në lagjen Frutikulture të qytetit të Kamzës. Kjo rrugë lidh rrugën ‘Skënderbeu’ me rrugën ‘Liria’ dhe është paralele me rrugën nacionale ‘Bulevardi Blu’. Rruga është në përputhje me planin urbanistik dhe parametrat e nevojshëm. […] Rruga në ndërtim është absolutisht e re me të gjitha parametrat e nevojshëm si për kalimin e makinave ashtu edhe për kalimin e këmbësorëve, por edhe për rrjetin e ujësjellësve…”.
Është domethënës artikulli i botuar në gazetën “Libero” (3 shtator 2013) me titull: “Heroi kombëtar i Berlusconi-t, Tirana i kushton një rrugë Kavalierit”.
Por, Kavalieri dhe lidhjet historike me Shqipërinë u jetësuan me dy vizita dhe dy polemika në harkun e një dekade.
Ndër kujtimet më të vyera vlen të përmendet koha kur Berlusconi, ishte lideri kryesor i opozitës ndaj qeverisë së qendrës së majtë të udhëhequr nga Romano Prodi.
Në videon e vitit 1997, Berlusconi ishte në lot pas fundosjes së anijes Katër i Radës, një anije shqiptare e fundosur gabimisht nga Marina italiane.
Kavalieri shkoi për të vizituar të mbijetuarit e fatkeqësisë në Brindisi, 34 persona nga 120 në bord dhe, duke folur për shtypin, ai shpërtheu në lot.
Vizitat e parë e Berlusconi-t në Tiranë
Silvio Berlusconi zhvilloi më 23 tetor të vitit 2002 në cilësinë e kryeministrit vizitën e parë zyrtare në Shqipëri.
Vizita e Kavalierit pasonte atë të kryeministrit shqiptar Fatos Nano pak javë më parë në Romë.
Shqipëria e konsideronte Italinë si partnerin e saj strategjik në synimet e saj për t’u integruar në strukturat evropiane dhe ato të NATO-s, referuar kohës.
Kryeministri italian, zhvilloi asokohe vizita në Vlorë e Sarandë.
Në ishullin e Sazanit, Berlusconi do të takohej me struktura të policisë dhe ushtrisë, kurse në Sarandë me autoritete të pushtetit vendor.
Berlusconi do e mbyllte me takime politike vizitën e tij disa orëshe në Shqipëri, duke u takuar me presidentin Alfred Moisiu, ku do të mbështeste pa rezerva rrugën e reformave dhe dialogut politik të nisur mes qeverisë dhe opozitës shqiptare.
Kryeministri italian u angazhua për të ndihmuar Shqipërinë në eliminimin e plotë të trafiqeve të paligjshme.
“Garantoj nga ana ime afërsinë dhe kontributin e qeverisë sime dhe të vendit tim për qeverinë e Fatos Nanos dhe për Shqipërinë”, deklaronte ai.
Nano e konsideroi vizitën e tij në Shqipëri “një urë të re të rëndësishme të integrimit tonë në Evropën e Bashkuar”.
“U ndjemë sot njëlloj të rinj dhe të impenjuar për të vazhduar se bashku zhvillimin e instrumenteve dhe të marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit për të integruar sistemet institucionale, sistemet ekonomike, sistemet energjetike në rrugën e përafrimit dhe të integrimit të Shqipërisë në Evropë”, shtoi ish-kryeministri shqiptar.
Dy kryeministrat zhvilluan më pas një marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe rajonit të Puglia-s për nxitjen e marrëdhënieve me organizmat komunitare me universitete dhe institutet e kërkimit si edhe me institucionet që veprojnë në fushën e zhvillimit ekonomik social dhe kulturor.
Pas nënshkrimit marrëveshjes për bursat e studimit apo financimeve për kërkuesit shkencorë, Italia regjistroi një rritje të mprehtë të mbërritjes së shqiptarëve në Apenine.
Një tjetër marrëveshje që ndikoi në rritjen e mbërritjes së qytetarëve shqiptarë në Itali ishte dhe ai i bashkimit familjar.
Kjo erdhi si rrjedhojë e marrëveshjeve për ndalimin e trafikimit të jashtëligjshëm të qenieve njerëzore dhe zbehjes së fushatës denigruese mediatike për emigrantët shqiptarë.
Polemika e parë
Marrëdhëniet diplomatike mes Italisë dhe Shqipërisë nuk po kalonin ditët e tyre më të mira dy vite më pas.
Në një intervistë për “Corriere della Sera”, kryeministri shqiptar Fatos Nano shpjegoi se shkaku i mosmarrëveshjeve mes dy kryeqyteteve ishte mbi qëndrimin e Tiranës për reformën në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.
Një qëndrim i cili, sipas kryeministrit shqiptar, do të përputhej me linjën italiane, por që nuk do të ishte kuptuar nga diplomacia e Romës për shkak të grindjeve brenda qeverisë Berlusconi.
Arsyet e vërteta të problemeve diplomatike mes dy brigjeve të Adriatikut fshihej në premtimet e kryeministrit italian, për të qenë “avokat i Shqipërisë” në Evropë.
Pakënaqësia italiane me Tiranën filloi më 21 shtator 2004 kur, gjatë një asambleje të përgjithshme të OKB-së, Nano dukej se përqafoi propozimin gjerman për një rritje të vendeve të përhershme dhe jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit.
Edhe pse Gjermanisë nuk i ishte emëruar as emri, fjalimi i Nanos u përplas me qëndrimin italian që ishte asokohe në kundërshtim me propozimin e Berlinit.
E ndjerë e tradhtuar, Italia nxitoi të shprehte pakënaqësinë e saj.
Ministri i Jashtëm italian, Gianfranco Fini, anuloi vizitën në kryeqytetin shqiptar nga agjenda gjatë turneut të tij të fundit në Ballkan, ndërsa politika e vizave e Ambasadës Italiane në Tiranë u bë befas më kufizuese.
Por për shefin e ekzekutivit shqiptar ishte thjesht një keqkuptim, të cilin ai personalisht ishte përpjekur ta sqaronte me homologun e tij Silvio Berlusconi, me të cilin thuhej se kishte marrëdhënie të shkëlqyera personale.
Vizita e dytë
Më 2 dhjetor të vitit 2008 kryeministri italian do të vizitonte për herë të dytë kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Gjatë vizitës, Shqipëria dhe Italia do të nënshkruanin disa marrëveshje, mes tyre dhe dy projekte të rëndësishme në fushën e energjetikës.
Kohët e fundit, zyrtarë të lartë shqiptarë përfshirë dhe presidentin Topi dhe kryeministrin Berisha kishin vizituar Italinë, e po kështu autoritete të larta italiane kishin vizituar Shqipërinë.
Por vizita e kësaj radhe kishte një rëndësi të veçantë pasi gjatë saj u nënshkruan disa projekte të rëndësishme në fushën e energjetikës midis dy vendeve, me një vlerë prej 2.5 miliardë euro.
Bëhej fjalë për një kontratë me vlerë 1 miliardë euro me grupin Falcone të Italisë për ndërtimin e një uzine ri-gazifikimi pranë Fierit dhe një tubacion gazi nën det për në Itali dhe një marrëveshje me vlerë 1.5 miliardë euro për firmën ndërtuese Mocanda.
Kjo e fundit, për projektin e prodhimit të energjisë me anë të erës, në gadishullin e Karaburunit, si dhe një kabllo energjie që do të shkonte nga Adriatiku në Itali.
Për autoritetet shqiptare këto projekte janë shumë të rëndësishme parë dhe në kontekstin e krizës energjetike disa vjeçare që po përjeton Shqipëria.
Nga ana e saj edhe opozita shqiptare shprehte miratimin për këto projekte, por sipas ish-ministrit të Jashtëm shqiptar, Kastriot Islami sërish duheshin marrë në konsideratë çështjet e mjedisit, apo ato të korrupsionit.
Marrëveshjet në fushën e energjisë midis Shqipërisë dhe Italisë nga specialistët e energjetikës, shiheshin me entuziazëm për faktin e thjeshtë se po investohet dhe në këtë fushë që prej vitesh ndodhej në krizë.
“Lëvizja Mjaft” paralajmëroi asokohe protesta pranë Kryeministrisë në prag të vizitës së Berlusconi-t.
Sikurse thuhet në një njoftim të shpërndarë për median “reagimi vjen nga rreziku i industrializimit ndotës, të pakonsultuar dhe jo transparent që qeveria shqiptare planifikon ta shtrijë në mbarë vendin, përmes ujdive me ndërmarrje kolonialiste me vendet fqinje”.
Polemika e dytë, më pas takimi me Berishën
Dy vite më pas kryeministri italian shkaktoi jo pak polemika më 12 shkurt 2010 me deklaratën: ”Ne do të bëjmë një përjashtim për ata që sjellin vajza të bukura”.
Kryeministri Sali Berisha sapo kishte premtuar se për sa kohë të zgjasë qeveria e Berlusconi-t, ekzekutivi shqiptar do të përpiqet të kufizojë sa më shumë zbarkimet duke vazhduar rrugën drejt një moratoriumi të kontrabandistëve: ”Nuk dua që Shqiptarët të vdesin, nuk dua që kriminelët të mbërrijnë në Itali”, u shpreh Berisha.
Berlusconi shtoi me shaka se “mund të bëjmë një përjashtim për ata që sjellin vajza të bukura”.
Sipas Berishës, kryeqeveritari italian “po i jep një ndihmë të madhe” Shqipërisë “për çdo procedurë të nevojshme për t’u integruar me dinjitet në Bashkimin Evropian”.
“Miku im Silvio më ka premtuar se ai me Fratini-n dhe gjithë qeverinë do të bëjë më të mirën që liberalizimi i vizave të BE-së për qytetarët shqiptarë të mbërrijë sa më shpejt”, vijoi kryeministri shqiptar.
Berlusconi njoftoi angazhimin e Italisë për liberalizimin e vizave për Shqipërinë “deri në tetor 2010”.
Vendimi i Parlamentit Evropian hyri në fuqi më 15 dhjetor të vitit 2010, për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë që udhëtonin në shtetet e Bashkimit Evropian.
Me programin ambicioz për ta bërë Shqipërinë “një qendër të prodhimit të energjisë”, Berlusconi kishte një seri të tërë projektesh që kishin të bënin si me energjitë tradicionale ashtu edhe me ri-gazifikimin e gazit të lëngshëm, termocentralet dhe mundësinë e prodhimit të energjisë bërthamore.
“Ka një marrëdhënie të veçantë mes dy vendeve tona”, do të theksonte për herë të fundit kreu i Qeverisë italiane nën petkun e zyrtarit dhe “mikut” të Shqipërisë.