Ish-kryeministri Sali Berisha, në një komunikim të gjatë në Facebook, tha se Edi Rama mund të rrëzohet vetëm me protesta.
“Dilema jonë është se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
Por nga ana tjetër, cila është zgjidhja?
Shumicë demokratësh dhe jodemokratësh, mendojnë se PD ka nevojë për një proces hapje të madhe dhe riorganizimi dhe unë jam plotësisht dakord me ta dhe i garantoj se personalisht do bëj çdo gjë në këtë proces.
Dhe është punuar, ka jo pak njerëz që nuk e kuptojnë se PD-në e shpëtoi hapja, e shpëtuan primaret, e shpëtoi institucioni i kandidatëve të lirisë, përndryshe ajo do ishte arkivuar në memorien e njerëzve.
Ky institucion i ri i krijuar tërhoqi në kushtet më të jashtëzakonshme votat e 500 mijë shqiptarëve.
Nga ana tjetër, e vërteta është se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje dhe nëse nuk përballemi, ky, pasi e ka shpallur Kodin Zgjedhor një kinezëri, me votë nuk ikën kurrë nga pushteti.
Si ish-kryeministër ju garantoj se në rast se një kryeministër vendos të mos dorëzojë pushtetin, me votë atij pushteti nuk i merret.
Nuk i merret sepse ai ka në dorë dhe disponon mekanizma gjigante me të cilat kontrollon pamëshirshëm votën e qytetarëve.
Imagjinoni për një moment këto zgjedhje, një industri gjigante e blerjes së votës.
Vetëm me vendime qeveritare u shpërndanë gjatë fushatës, bonuse dhuratë për 683 mijë pensionistë dhe 180 mijë punonjësve iu rritën rrogat.
Nuk ndalem këtu në qindra milionë euro të shpërndara nën dorë. Vetëm partia e Doshit u rrit me 310 përqind, kur Doshi u garantoi se nuk ka shpërndarë as një të dhjetën e parave që ka shpërndarë Edi Rama.
U ndala për të tërhequr arsyetimin dhe vëmendjen tuaj se një kryeministër që nuk do të dorëzojë pushtetin, rrëzohet me protesta dhe vetëm me protesta.
Dhe unë i qëndroj këtij parimi”, tha Berisha. I pyetur nga ndjekësit në Facebook, Berisha ka akuzuar sërish Lulzim Bashën.
Ai është pyetur nëse do të garojë “kokë më kokë” me kreun e dorëhequr të PD-së, Lulzim Basha.
Berisha tha se kjo nuk ka për të ndodhur. Ai deklaroi se t’i thuash të garojë me Bashën është njësoj si t’i thuash që të garojë me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Ballën.
“Një garë mes meje dhe Edi Ramës në PD, kaq është e ngjashme.
Faktet nuk janë për t’u injoruar, por për t’u pasur parasysh.
Lulzim Basha ishte në një proces penal, të cilin nuk ia ngriti Sali Berisha, për ngritjen e të cilit Rama pagoi McGonigalin.
Në të cilin akuza ishte larje parash 720 mijë dollarë.
Edi Rama e menaxhoi procesin e Lulzim Bashës, e çoi gjer në prag të dënimit mimumi me 6 vite burg për 720 mijë dollarë pa origjinë.
Shërbimet amerikane thonë se janë me origjinë ruse, ai e mohon, por origjinën e vërtetë nuk e ka treguar kurrë.
Në këto kushte, Edi Rama ia mbylli dosjen me një prokuror. Ka një prokuror që ka firmosur për mosmbylljen e dosjes. Firma e tij është e mjaftueshme që Edi Rama ta hapë dosjen në çdo kohë.
Ju më thoni se pengu i Edi Ramës, të vazhdojë me skenarin e Edi Ramës.
Ajo që po ndodh është skenar i Edi Ramës për të shëmtuar sa më shumë opozitën.
Sepse akoma ka njerëz që besojnë se Lulzim Basha është opozitë. Por ai është një peng pa vlerë.
Është njëlloj si të më thuash a do bësh garë me Taulant Ballën. Kjo nuk mund të ndodhë…”, tha ai
Duke e konsideruar Bashën ‘peng’, Berisha tha se do të merret vetëm me Edi Ramën.
“Problemet madhore në PD u shkaktuan nga shkelmimi i statutit. Unë jam i betuar dhe i vendosur të zbatoj me përpikmëri statutin, i cili i jep pushtetin anëtarit të PD.
Kryetari nëse humbet zgjedhjet lokale, dhe unë e quaj humbje meqë nuk fituam, ndonëse zgjedhjet janë këto që janë, statuti përcakton votëbesimin tim nga anëtarët e PD.
Analiza e këtyre zgjedhjeve do bëhet në përputhje me statutin e PD-së.
Natyrisht paralel me proceset demokratike të partisë, Edi Rama ka stisur një proces me dy pengjet e tij.
Unë mund të them vetëm kaq: pengun nuk ka forcë që e çliron nga pengmarrësi përveç vullnetit të pengmarrësit. Unë nuk merrem me pengje, do merrem me pengmarrësin Edi Rama.
…Me shumë kënaqësi mirëpres në PD të gjithë anëtarësinë e saj dhe në këtë kontekst i garantoj se zëri i tyre do të dëgjohet, propozimet e tyre do përfillen dhe nuk ka asnjë pengesë që ne nëpërmjet procedurave statusore të bëjmë zgjidhjet më të mira.
E rëndësishme është të ekzistojë vullneti dhe ndjenja e përgjegjësi që çdo demokrat dhe demokrate ka për hapjen dhe konsolidimin e PD-së, jo vetëm ndaj anëtarëve të saj, por ndaj mbështetësve dhe simpatizantëve të saj”, tha ai.