Sali Berisha ka reaguar lidhur me vendimin e kryeministrit Edi Rama për shtyrjen e mbledhjes së përbashkët me Kosovën.
Sipas tij, Rama e anuloi mbledhjen me urdhër të Beogradit dhe se shqiptarët nuk e meritojnë një ndëshkim të tillë.
Berisha ka shtuar se shqiptarët nuk janë shkaku, por është nacionalizmi i verbër serb.
“Rama anuloi me urdhër nga Beogradi, pjesëmarrjen në mbledhjen me qeverinë e Kosovës në Gjakovë, në kuadër të 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Si shkak për anulimin e këtij takimi të lajmëruar prej kohësh, Rama paraqiti refuzimin e Kosovës për të diskutuar veçmas në një format të prezantuar prej tij, për draftin e Ramës për Asociacionin, të marrë nga sirtarët e Beogradit”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, autoritetet e Kosovës refuzuan ndërhyrjen brutale të Rramës në punët ë brendshme për një problem me të cilin po merren vendet më të fuqishme të globit.
“Lidhur me këto zhvillime, PD dënon me forcën më të madhe ndërhyrjen brutale të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe aktin e tij hakmarrës dhe sherrndjellës mes dy vendeve fqinjë të një kombi, në një klimë të acaruar”, ka theksuar ai.
Po ashtu ka thënë se PD-ja përgëzon refuzimin nga autoritetet e Kosovës për të diskutuar me Ramën projektin e Vuçiçit, njësoj siç bëri me hartat e ndarjes së Kosovës.
“PD përgëzon refuzimin e diskutimit të projektit dhe rolin ndërmjetës të shpallur nga Rama. Rama është dëshmuar haptas një argat i zellshëm i Aleksandër Vuçiç”, ka vijuar ai.
Berisha ka thënë se ai ka promovuar si të vetat të gjitha projektet e Vuçiç-it, duke filluar me projektin e ndarjes së Kosovës, duke vazhduar me projektin e Ballkanit të Hapur dhe duke vazhduar me projektin e Asociacionit, me të cilin Vuçiç dhe Rama kërkojnë shpërbërjen dhe ndarjen e Kosovës.
“PD shton gjithashtu se Rama, që nga fillimi i agresionit barbar rus ndaj Ukrainës, në kundërshtim flagrant me interesin e kombit shqiptar dhe mbarë komunitetit euroatlantik, ka mbrojtur haptas qëndrimin e Vuçiç-it kundër sanksioneve të NATO dhe BE ndaj Rusisë”.
Dhe se, në dhjetëra raste, “ka kritikuar haptas kërkesën e NATO dhe BE ndaj Beogradit për respektimin e sanksioneve. Me angazhimin e ethshëm të fundit me projekt konkret dhe sherrndjellës për Asociacionin, me sulmet ndaj homologut në Kosovë, ka diçka të tmerrshme personale të Rarmës”.