Një grup guerrilas kibernetik nga Ukraina po përgatitet të godasë Rusinë me gjithë fuqinë e vet, duke synuar kryesisht linjat hekurudhore dhe ato të tensionit të lartë elektrik, në një kundërpërgjigje ndaj asaj çfarë Moska po përpiqet të bëjë me mësymjen në Ukrainë.
Disa zyrtarë nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, mendohet se i janë afruar grupeve të ndryshme të hacker-ëve në Ukrainë, për të organizuar pikërisht këtë njësi lufte kundrejt Moskës.
Drejtuesi i ekipit, mendohet se do të jetë eksperti i sigurisë kibernetike, Yegor Aushev, i cili do të organizojë njësitë vepruese.
Sulmet sipas Aushev, do të bien mbi sistemin infrastukturor dhe kryesisht, në atë që ndihmon trupat ruse, duke sjellë furnizime të ndryshme apo armatime.
“Do të bëjmë çdo gjë për ta ndaluar luftën”, tha ai. “Qëllimi është të bëjmë të pamundur ardhjen e armëve shtesë në vendin tonë.
Një sërë faqesh qeveritare dhe bankare ruse, janë bllokuar nga grupimi i hacker-ëve tashmë. Kryefaqet e këtyre enteve, janë zëvendësuar shpesh me pamje të dhunshme të luftës, për t’i vënë në sytë e popullit rus.
Detaje të tjera nuk janë dhënë, për shkak se misioni mund të cënohet. Por, e vetmja gjë e sigurt, është fakti se Ukraina po e lufton Rusinë edhe me metodat më avangarde të cyber-sigurisë. /