Bashkimi Evropian ka dënuar në mënyrën më të ashpër sulmin e Kremlinit në Ukrainë, duke e quajtur një nisje lufte të paprecedentë dhe të paprovokuar nga ana e Vladimir Putinit.
Një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Evropës do të ndodhë së shpejti, pasi është thirrur nga Presidenti i Këshillit, Charles Michel.
Vetë Michel, e ka dënuar me forcë sulmin rus.
“Në këto orë të errëta, mendimet tona janë me Ukrainën dhe njerëzit e pafajshëm, të cilët jetojnë atje. Kremlini do të mbahet përgjegjës”, shkruan ai në Twitter.
Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka komentuar mbi ngjarjen, duke thënë se sulmi është i paprecedent.
“Rusia duhet të tërhiqet menjëherë dhe të respektojë integritetin territorial të Ukrainës”, shkruan ajo. Ndërsa, rithekson se liderët e Bashkimit Evropian, do të diskutojnë masat e reja kundër Rusisë.
Ato me shumë mundësi, pritet të ndalen sërish në sanksione edhe më të forta se të mëparshmet, ku mund të përfshihet direkt edhe vetë Vladimir Putin.
Përshkallëzimi erdhi në orët e vona të natës, kur presidenti rus, vendosi t’i shpallë luftë Kievit dhe të nisë bombardimet në qytetet kryesore të vendit.