Bayern Munich vazdhon të jetë makthi numër një i skuadrës së Barcelonës.
Një vit e një muaj pas humbjes turpëruese 2-8 në çerekfinalet e Champions League, dy skuadrat tani përballeshin në fazën e grupeve.
Në “Camp Nou”, Barcelona priste Bayern-in. Për katalunasit, kjo ishte ndeshja e parë pa Messi-n në Champions League pas afro dy dekadash.
Dominimi i Bayern-it u vu re qysh nga fillimi i takimit.
Bavarezët ishin vazhdimisht në gjysmëfushën e skuadrës së Koeman, duke krijuar mundësi të shumta.
Mundi i tyre u shpërblye dhjetë minuta para përfundimit të pjesës së parë.
Muller me një goditje nga larg, shënoi për 0-1.
Për Thomas Muller, ky ishte goli i shtatë në gjashtë ndeshje përballë blaugranëve.
Pjesa e parë u mbyll ashtu, dhe e dyta ishte pak a shumë e njëjta histori.
Lewandowski do të gjente dy herë rrjetën, në fillim dhe në fund të kësaj pjese.
Dy herë do të ishte i njëjti skenar. Në golin e parë të tij, Musiala goditi shtyllën dhe nga topi i kthyer, ai shënoi për 0-2.
Në golin e dytë të tij, ai shënoi nga topi i kthyer pas shtyllës së Serge Gnabry.
Takimi u mbyll me fitoren 0-3 të bavarezëve.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Dynamo Kiev barazoi 0-0 me Benfica-n.