Falë ndihmës së Robert Levandovskit, Bajern Mynihu mundi Borusia Dortmundin dhe ngriti trofeun e Superkupës së Gjermanisë. Kjo është hera e dytë radhazi që bavarezët triumfojnë në këtë kompeticion.
Robert Levandovski shënoi dy gola dhe dha një asist në fitoren 3-1 të Bajern Mynihut kundër Borusia Dortmundid në finalen e Superkupës së Gjermanisë.
Ky është trofeu i parë i sezonit për bavarezët dhe i pari për trajnerin Julian Nagelsman që kur mori drejtimin e ekipit.
Nisja ishte e vështirë për teknikun e ri që nuk kishte marrë një fitore në 4 miqësoret e para të parasezonit, e po ashtu edhe në sfidën e parë të Bundesligës kundër Gladbahut, ku Bajern barazoi.
Për verdhezinjtë talenti Erling Haland nuk la shenjë në këtë finale. Leva realizoi golin e parë të takimit në shtëpinë e verdhezinjve, “Signal Iduna Park” në minutën e 41. Katër minuta nga nisja e pjesës së dytë, polaku i dha një asist Tomas Mylerit, që e ktheu në gol.
Rojs u përgjigj me një perlë në minutën e 64, por bomberi i bavarezeve vulosi fitoren 10 minuta më pas duke realizuar golin e tretë. Bajern e fiton Superkupën e Gjermanisë për herë të dytë radhazi dhe të nëntën në histori, si asnjë klub tjetër gjerman.