Ish-kancelari austriak Sebastian Kurz, ka njoftuar largimin e tij nga politika.
Politikani i cili mbizotëroi në pesë vitet e fundit brenda partisë së tij (Qendra e Djathtë Popullore ÖVP) ishte një nga udhëheqësit më të rinj në botë (31 vjeç).
Kurz u zgjodh në vitin 2017 në mënyrë demokratike si kancelar. Ai u dorëhoq nga posti i kancelarit në muajin tetor, pas hetimeve mbi dyshimet për korrupsion.
Më tej, politikani austriak dha dorëheqjen edhe nga posti si kreu i ÖVP-së.
Kurz nënvizoi se kishte vendosur të largohej nga politika në mënyrë që t’i përkushtohej jetës familjare. Së fundmi ai është bërë baba.
Ish-zyrtari austriak u largua nga posti i kancelarit nën presionin e fortë të të Gjelbërve (në koalicion me ÖVP-në).
Prokurorët austriakë dyshojnë se një rrjet politikanësh konservatorë rreth Kurz-it përdorën fonde publike.
Kjo, për të blerë mbulim mediatik dhe për të “financuar anketat e manipuluara pjesërisht të opinionit”.
Tabloidi austriak “Österreich” ka mohuar këtë favorizim të Kurz-it dhe partisë së tij në këmbim të parave të taksapaguesve.
Ajo bën me dije se janë paguar rreth 1.33 milionë euro për reklamat e vendosura nga Ministria e Financave vetëm gjatë dy viteve të fundit.
Kurz, i cili është nën hetim, ka mohuar çdo akuzë nga ana e tij.
Nëntë persona të tjerë të afërt me ish-kancelarin, si dhe tre organizata, janë gjithashtu nën hetim.
Rënia e Kurz-it ishte po aq e shpejtë sa ngjitja e tij.
Në moshën 24-vjeçare ai ishte sekretar i Shtetit për Integrimin. Kurz u caktua ministër i Jashtëm në moshën 27-vjeçare.
Më pas ai u bë udhëheqës i ÖVP-së në maj të vitit 2017 dhe kancelar gjashtë muaj më vonë.
Kurz tha në deklaratën e tij të dorëheqjes se akuzat e kishin penguar aftësinë e tij për të punuar.