Këtë të mërkurë të 2 marsit, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” shqiptar, u mblodh Asambleja e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Punimet e kësaj Asambleje janë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Tiranës, pasi kjo e fundit kërkoi pezullimin e saj, të Komitetit Ekzekutiv dhe Komisioneve të Verifikimit të zgjedhjeve në FSHF.
Asambleja filloi me notat e “Himnit të Flamurit” dhe, më pas, u mbajt një minutë heshtje në nderim të futbollistëve shqiptarë që janë ndarë nga jeta kohët e fundit.
Vendimi kryesor i Asamblesë ishte shtyrja e zgjedhjeve për president të FSHF-së.
Një vendim që vjen pas atij të Gjykatës së Tiranës. Data e re për zhvillimin e zgjedhjeve është vendosur 15 marsi 2022, ora 10:00.
Në punimet e Asamblesë ishte i pranishëm dhe kreu i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina, si i dërguar i UEFA-s.
Gravina foli para të pranishmëve, duke thënë se “Është një kënaqësi dhe një privilegj i madh që të përfaqësoj Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s dhe presidentin Ceferin që iu përcjell përshëndetjet e sinqerta”.
“Po jetojmë ditë të vështira që prekin pikërisht futbollin. Më shumë se kurrë sot shoqëria jonë është kompakte për t’i dhënë mbështetje popullit të Ukrainës”.
“Sporti nuk duhet bërë politikë dhe u nevojitet paqja. Lutja jonë shkon për ata që po vuajnë në këtë moment. Në periudhën e fundit kemi parë shumë ndërhyrje të jashtme në botën sportive”, vijoi italiani.
Në Asamble foli kreu aktual i FSHF-së, Armand Duka.
Ai tha se “Të lëmë mënjanë sulmet, mllefin dhe inatin e mbartur. Jam i qartë në atë që them, duhet të shohim para, pa u ndikuar nga tensionet artificiale të situatës së krijuar. Kaluam monopate, kreshta e kodrina, por ato na kanë kalitur”.
Ndërsa, kandidati për kreun e FSHF-së, Dritan Shakohoxha, së bashku me kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, Eduard Prodani e bojkotuan, pasi e cilësonin si të paligjshme.