Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Arrestimi i Vangjush Dakos, Rama: Kemi hyrë në fazë të re. Duhet bërë durim edhe në luftën kundër korrupsionit.

Kreu i qeverisë, Edi Rama thotë se janë krenarë që për herë të parë në historinë e Shqipërisë ndodh që po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Ky reagim i Ramës vjen nga Berati dhe duket se i referohet arrestimit të Vangjush Dakos me urdhër të SPAK, megjithëse nuk përmend emër.

Kreu i qeverisë theksoi se duhet bërë durim në luftën kundër korrupsionit ndërsa u shpreh se nuk është e lehtë që të shohë njerëzit që i ka pasur në krah të jenë përballë prokurorit apo gjykatësit për shkelje të ndryshme.

“Kemi hyrë në fazë të re. Duhet bërë durim edhe në luftën kundër korrupsionit. Për herë të parë në historinë e popullit tonë po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Kjo nuk është e lehtë. Kjo të bën të ndihesh jo mirë se s’ke si ndihesh mirë kur sheh që dikush që ka qenë përkrah teje, është përkrah avokatit përballë prokurorit apo gjykatësit. Me siguri dicka ka ndodhur. Edhe kur e sheh se sim und të përdoret forca e pushtetit të drejtësisë për të bërë edhe gjëra që nuk shkojnë. Të gjitha janë pjesë e një procesi dhe rruga është e përpjetë, jo dishezë. Kini parasysh që për herë të parë ndodh kjo. Për këtë duhet të jemi ne krenarë për PS”, tha Rama.

Për arrestimin e Vangjush Dakos ka reaguar edhe Edi Paloka duke thënë se do lirohet shumë shpejt se nuk do e hapë gojën për Ramën ndërsa pretendon se ky i fundit e ka bërë skenarin ndërsa regjia është bërë nga ambasadorja Yuri Kim. Ndërsa Ervin Salianji e cilëson zhvillim pozitiv arrestimin e Dakos dhe thotë se SPAK duhet të inkurajohet e të godasë mafien politike që vjedh zgjedhjet.

Gjatë turit falenderues, Rama u ndal edhe te fitorja pas 14 majit duke thënë se mund të fitojnë edhe 19 beteja të tjera elektorale nëse arrijnë të bëjnë reflektim. Vetëm kështu, sipas tij, PS-ja mund të vijojë të ketë fitore.

“Na duhet të bëjmë realisht një reflektim shumë të madh pas kësaj fitoreje. Arsyeja pse kemi fituar dhe kemi fituar 8 nga 9 beteja elektorale dhe mund të fitojmë edhe 18 të tjera është sepse ne sapo kanë mbaruar një palë zgjedhje kemi filluar të mendojmë për një palë zgjedhje të tjera duke mos e konsideruar asnjë fitore një arsye për të fjetur mbi dafina dhe për të vazhduar përpara duke i parë tjerët nga lart poshtë”, tha Rama. 

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako është arrestuar në 6 qershor me urdhër të SPAK nën akuzën e shpërdorimit të detyrës së tij lidhur me lejen e ndërtimit të kateve shtesë në një pallat të ndërtuar 11 vite më parë si dhe për një tender të dhënë në vitet 2014-2015 për shëtitoren e plazhit të Durrësit duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh. Në pranga kanë rënë edhe 9 zyrtarë dhe ish zyrtarë të drejtorisë së Urbanistikës në Durrës të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion. Gjyqtari i GJKKO, Erjon Bani ka firmosur 10 masa arresti, 7 prej të cilave ‘arrest me burg’ dhe 3 ‘arrest shtëpie’.

LAJME TË TJERA >>