Armand Duka zgjidhet për herë të 6-të president i FSHF-së, në krye të së cilës ka ardhur që në vitin 2022. Ai ka marrë 37 vota, ndërkohë që i mjaftonin 29 për të fituar mandatin e radhës. Kandidati tjetër, Sulejman Starova, mori 4 vota, 2 vota rezultuan të pavlefshme, kurse kandidati i tretë Dritan Shakohoxha e braktisi Asamblenë, pasi e konsideron të paligjshme atë.
Asambleja Zgjedhore për presidentin e FSHF-së dhe Komitetin Ekzekutiv të saj i vazhdoi punimet sot, ps shtyrjes që u bë më 2 mars, pasi në atë kohë ajo nuk u konsiderua e mbyllur. Zgjedhjet për kreun e qeverisë së futbollit shqiptar u shtynë për sot, pas disa vendimeve të Gjykatës së Tiranës ndaj presidentit aktual Armand Duka dhe drejtuesve të tjerë të FSHF-së.
Asamblenë Zgjedhore, ku mungonin 14 delegatë, e hapi zv.presidenti Lutfi Nuri, i cili kaloi menjëherë në rendin e ditës, duke ia lënë radhën komisionit të verifikimeve, me kryetar Koço Kokëdhimën. Ka folur i pari i dërguari i UEFA-s, Zibi Boniek, duke bërë përshëndetjen e rastit. Pastaj folën me radhë kandidati Sulejman Starova dhe presidenti aktual, Armand Duka, i cili fitoi mandatin e 6-të.
Ai e ka cilësuar futbollin si ishullin më të zhvilluar në Shqipërinë e halleve të mëdha. Kurse pas rizgjedhjes, Duka u shpreh: “Jam i emocionuar për këtë mbështetje. E di që gjithëkush ka një vërejtje për mua dhe do të vazhdoj t’i dëgjoj, t’i mbaj shënim dhe t’i korrigjoj në këtë 4-vjeçar. Kam dëgjuar dhe vazhdoj të dëgjoj shpifje dhe ofendime, do t’i shmang ato si vetë loja jonë me sportivitet. Duhet t’i lëmë pas ato që kemi kaluar. Dua t’ju falënderoj përulësisht dhe ju garantoj se do të jem në shërbimin tuaj gjatë 4 viteve të ardhshme”.
Situata mbetet gjithsesi disi e paqartë në fakt, sepse Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masën “pezullim nga detyra” për presidentin Armand Duka, sekretarin e përgjithshëm Ilir Shulku dhe sekretarin e Shoqatës Rajonale Tiranë, Ardian Haçi. Kjo masë është marrë, sepse nga hetimet e Prokurorisë ka dalë se dosjet e ekipeve ka një numër më të vogël lojtarësh të federuar krahasuar me atë të deklaruar në sistemin “Comet”, që merret për bazë në lidhje me gjenerimin e të dhënave zyrtare për numrin aktiv të lojtarëve të federuar. Tani mbetet të shihet, nëse gjithcka përfundon këtu, apo do të ketë zhvillime të tjera nga Gjykata.
Kandidati Dritan Shakohoxha vazhdon ta konsiderojë të paligjshme Asamblenë Zgjedhore, madje ai ka thënë së fundi se është kërcënuar ai dhe familja e tij. Po ashtu, Shakohoxha është shprehur se po fshihet raporti i UEFA-s në lidhje me situatën e zgjedhjeve.
Pas votimit për presidentin e FSHF-së, ku Armand Duka fitoi mandatin e 6-të, në Asamblenë Zgjedhore është votuar edhe për Komitetin e ri Ekzekutiv, 10 anëtarët e tij, ku ka ndryshime në raport me atë të mëparshmin.
Vetëm 4 anëtarë kanë vazhduar të jenë pjesë e tij, konkretisht Lutfi Nuriu, Arben Dervishaj, Abdyl Kuriu dhe Bardhyl Jera.
Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për 4 vitet e ardhshme janë Arben Dervishaj me 30 vota, Abdyl Kuriu me 32 vota, Bardhyl Jera me 35 vota, Anila Basha me 35 vota, Envi Hicka me 30 vota, Ervin Canollari me 37 vota, Gjergji Petro me 34 vota, Lutfi Nuriu me 39 vota, Pano Xhixho me 36 vota dhe Ylli Çekiçi me 34 vota.
Të gjithë anëtarët e Komitetit të ri Ekzekutiv janë kualifikuar që në raundin e parë të votimit. Risitë janë Anila Basha dhe Pano Xhixho, që vijnë nga fusha e gazetarisë. Për herë të parë në KE janë zgjedhur gjithashtu Envi Hicka, Ervin Canollari, Ylli Çekiçi dhe Gjergji Petro.