Një zyrtar i lartë i Kremlin-it tha kohët e fundit se Rusia po përdor një sistem të avancuar të armëve lazer në luftime në Ukrainë.
Në një konferencë të transmetuar në median shtetërore “Channel One” të mërkurën, Yury Borisov, zëvendëskryeministri i Rusisë, tha se arma më e fundit lazer e vendit, e quajtur “Zadira”, po përdoret për të rrëzuar dronët ukrainas.
“Zadira” mund të jetë pjesë e një sistemi raketash ndërkontinentale, i cili përfshin një komponent lazer të quajur Peresvet.
Borisov tha se Peresvet tashmë ishte vendosur gjerësisht dhe gjithashtu mund të verbonte satelitët deri në 1 mijë e 500 km (930 milje) mbi Tokë.
Por ekspertët ushtarakë kanë shprehur dyshime nëse pretendimet e Rusisë janë të vërtetuara.
Një armë lazer gjeneron një rreze drite të përqendruar që mund të nxehet dhe djegë një objekt.
Rrezet udhëtojnë me shpejtësinë e dritës, kanë një gamë shumë më të gjerë se predha të rregullta dhe mund të godasin objektivin e tyre me saktësinë maksimale.
Armët e tilla mund të funksionojnë gjithashtu në mënyrë diskrete, pasi dërgimi i rrezeve të dritës nuk gjeneron zhurma të larta.
Më e rëndësishmja, ato janë shumë ekonomike, pasi nuk nevojitet asnjë municion, përveç energjisë, për të gjuajtur një rreze.
Të gjithë këta faktorë i kanë bërë armët lazer në projekte tërheqëse për ushtritë në mbarë botën.
Verën e kaluar, ushtria amerikane njoftoi se kishte testuar një armë të avancuar lazer në një manovër. Në prill, kryeministri izraelit, Naftali Bennet, shkroi në Tëitter se forcat e armatosura të vendit të tij kishin testuar me sukses sistemin e armëve lazer “të parën në botë” që mund të përdoret për të rrëzuar dronët, raketat dhe mortajat.
Shumë vende të tjera, duke përfshirë Francën, Britaninë e Madhe dhe Kinën janë raportuar se po punojnë në projektet e tyre të armëve lazer.
A përdor Rusia armë lazer në Ukrainë?
“Disa vende po eksplorojnë teknologjinë dhe përdorin këto lloj armësh. Rusia ndoshta mund të jetë një nga ato vende”, tha për DW Maarten Lörtzer, zëdhënës i TNO.
“Për shkak të konfidencialitetit të këtyre lloj projekteve, ne megjithatë nuk kemi njohuri për statusin”.
Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë asnjë provë për të vërtetuar pretendimin e Rusisë se po përdor armë lazer kundër Ukrainës.
Lazeri rus kundër dronëve ukrainas?
Por armët lazer, nëse janë të përdorshme, mund të ndihmojnë Moskën kundër një prej kërcënimeve të saj kryesore në Ukrainë: dronëve.
Me dronët e saj, ushtria ukrainase ka arritur të kapë ushtrinë ruse në këmbë në disa raste. Përveç dronëve ushtarakë të dorëzuar nga vendet e NATO-s, ukrainasit kanë gjurmuar dhe sulmuar objektivat ruse me dronët e tyre të prodhuar vetë dhe komercial.