Sulmet e para kibernetike ishin pak më shumë se vandalizëm digjital.
U bllokua faqja zyrtare e Kremlin-it, ajo e Duma-s dhe më pas e gjigantëve të energjisë.
Por ditët e fundit, hacker-at e Anonymous kanë vendosur t’i rrisin standardet.
Aktivistët i kanë shpallur luftë të gjithanshme Putin-it çka nuk do të kursente as të dhënat e tij personale.
Llogaria në Twitter @Doemela_X ka rihapur një lidhje të publikuar në Anonfiles.com, portali ku hacker-at e rrjetit Anonymous përhapin skedarë të ndjeshëm të vjedhur gjatë veprimeve të tyre.
Nga kjo lidhje mund të shkarkohen afro 40 mijë dokumente që i atribuohen Institutit të Sigurisë Bërthamore të Moskës.
Referuar informacioneve të publikuara në faqen e internetit të Institutit, ky objekt është themeluar në nëntor 1988 dhe është i angazhuar në kërkime për përmirësimin dhe monitorimin e sigurisë së centraleve bërthamore në Rusi.
Mbetet e paqartë se çfarë përmbajnë dokumentet ama në dosjen origjinale ka vetëm tekste dhe tabela të shkruara në rusisht.
Autorësia e aksionit është e grupit Batalionit 65, të lidhur me Anonymous.
Llogaria që rifilloi sulmin ka pak më shumë se pesë mijë ndjekës, por është marrë gjithashtu nga profili në Twitter @YourAnonNews nga mbi shtatë milionë ndjekës.
Si praktikë, Anonymous nuk ka një profil zyrtar në Twitter, por aktivistët që kontribuojnë në këto veprime rinisin gjithçka nga kanalet e tyre.
Llogaria @YourAnonNews i grumbullon dhe i ripublikon të gjitha këto raporte.