Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thelluar bashkëpunimin e tyre me presidentin gati autokratik të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kanë riorientuar qëndrimin e tyre rajonal në qendër të prioriteteve të politikës së jashtme të Beogradit, ka shkruar e përditshmja amerikane, “Foreign Policy”, në një analizë të saj për qasjen e presidentit të ShBA-së, Joe Biden, për Ballkanin Perëndimor, dhe për mbështetjen që po i bëhet Serbisë në dëm të vendeve të tjera të rajonit.
Nga parashikimet e panumërta në lidhje me ndikimet e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, një nga më të theksuarat në Ballkanin Perëndimor – kufiri tjetër gjeopolitik i madh i Evropës – ishte shpresa se do të shënonte fundin përfundimtar të iluzioneve perëndimore për mundësinë e akomodimit me regjimet autoritare dhe shoviniste, shkruan “Foreign Policy”, duke iu referuar udhëheqjes autoritare në Serbi.
“Në Sarajevë, Prishtinë dhe Podgoricë, në veçanti, pritja ishte që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian më në fund do ta shihnin regjimin e Serbisë dhe Aleksandër Vuçiç-it ashtu siç është: një shtet satelit i Kremlinit që mbjell përçarje përmes një rrjeti përfaqësuesish rajonalë me qëllim për të zgjeruar makinacionet e veta pothuajse perandorake dhe, në koordinim me Moskën, duke ndalur aspiratat e anëtarësimit në NATO dhe BE të Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi. Dhe, si rezultat, më në fund do të pasonin pasoja për Beogradin”, shkruan revista.
Mirëpo, prestigjiozja amerikane thotë se përkundër pritjeve kjo nuk ka ndodhur, madje shkruan se “gjatë vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara, edhe më shumë se BE-ja, i kanë thelluar në mënyrë agresive angazhimet e tyre ndaj presidentit gati-autokratik të Serbisë, ndërsa në të njëjtën kohë kanë riorientuar qëndrimin e tyre më të gjerë rajonal në qendër – Beogradin, dhe prioritetet e tij të politikës së jashtme”.
“Ndërsa në kontekstin ukrainas, administrata Biden insiston në parimin e ‘asgjë për Ukrainën pa Ukrainën’ – që do të thotë se ukrainasit duhet të përfshihen në çdo dhe të gjitha negociatat në lidhje me luftën – dhe e ka inkuadruar mbështetjen e saj për Kievin si një shprehje e SHBA-së. Mirëpo, agjenda më e gjerë pro-demokratike e presidentit, në asnjë nga parimet nuk zbatohet për sulmet e tij në Ballkanin Perëndimor”, thotë artikulli.
Ndërkaq, revista në shkrimin e saj nënvizon se ambasadorët e SHBA-së në Sarajevë dhe Beograd takohen me Vuçiç-in për të diskutuar “veprimet e togerit secesionist të presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik (entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë)”.
“Ata e bëjnë këtë ndërkohë që pretendojnë ‘rëndësinë e mbështetjes së sovranitetit, integritetit territorial, karakterit multietnik dhe institucioneve funksionale të nivelit shtetëror [të Bosnjës]’—por pa praninë e një zyrtari të vetëm boshnjak”.
Po ashtu, e përditshmja amerikane ka përmendur edhe deklaratat e ambasadorit të ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, i cili vazhdimisht ka kritika ndaj qeverisë së Kosovës, dhe siç thuhet në artikull “ai pretendon se është dështimi i saj për të respektuar Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 – e cila kishte për qëllim të krijonte një rrugë drejt njohjes reciproke dhe normalizimit diplomatik midis dy shteteve”.
“Hill ka pak për të thënë për refuzimin e Serbisë për të zbatuar dispozitat thelbësore të asaj marrëveshjeje. Në fakt, Beogradi është aq intransigjent në lidhje me Kosovën, saqë marrëveshja e fundit Bruksel-Ohër, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për të (ri)filluar procesin e normalizimit, e pa Vuçiç-in duke refuzuar të nënshkruante dokumentin. Në vend të kësaj, ai pretendoi se kishte rënë dakord me gojë, por më pas e bëri të qartë brenda disa orësh se kishte synim që të mos iu përmbahej asnjë pike të dokumentit”.
Përveç në Kosovë, në artikullin e “Foreign Policy”, flitet edhe për presidentin e sapozgjedhur malazez, Jakov Milatoviç, i cili paraqitet si një i moderuar, dhe që ka një qasje pro-evropiane, mirëpo kujtojnë faktin se ai ka qenë pjesë e qeverisë pro-serbo-ruse, dhe po ashtu përmendin mbështetjen që iu dha Milatoviç-it nga çarqet serbo-ruse.
“Milatoviç ka shërbyer më parë si ministër i zhvillimit ekonomik në kabinetin jetëshkurtër të Zdravko Krivokapiç, një nacionalist serb i linjës së ashpër me lidhje të ngushta si me Beogradin ashtu edhe me Moskën. Kur qeveria e Krivokapiç u rrëzua në vitin 2022, Milatoviç u zëvendësua në portofol. Fushata e tij e mëvonshme presidenciale u mbështet nga e gjithë struktura nacionaliste serbe në Mal të Zi dhe madje edhe nga kriminelët e dënuar serbë të luftës si Vojisllav Sheshel. Kur erdhi koha që mbështetësit e tij të festonin fitoren e tij eventuale, ata e bënë këtë me një mbizotërim të flamujve serbë dhe himneve sektare për Kosovën”.
Për këtë situatë, prestigjiozja amerikane pyet se “pse Uashingtoni e ka gjetur veten në ligë me Beogradin?”.
“Nuk është e vështirë të shpjegohet, por është një politikë krejtësisht në kundërshtim me qëndrimin e administratës Biden ndaj Ukrainës. Pas pushtimit rus të Ukrainës, administrata Biden e pranoi me të drejtë se situata e përgjithshme politike dhe e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ishte bërë e paqëndrueshme. Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi ishin pikat më të mundshme të ndezjes së një konflikti të mundshëm, ku të gjitha mund të destabilizoheshin lehtësisht nga Moska për të krijuar një front të dytë proverbial në Evropë – ndoshta jo në kuptimin kinetik, por sigurisht politikisht. Si e tillë, ishte në interesin e Shteteve të Bashkuara të mbyllnin konfliktet shpejt në Ballkanin Perëndimor pas dy dekadash që ia kishin lënë kryesisht administrimin e rajonit Brukselit – me rezultate të tmerrshme”, vlerëson revista.
Për të arritur këtë që u tha, e përditshmja amerikane beson se Departamenti i Shtetit nën Biden, “sipas të dhënave publike, ka arritur në përfundimin se ka nevojë për partnerë që mund të përmbushin premtimet e tyre”.
“Në Ballkanin Perëndimor, kjo përgjithësisht do të thotë të mbështetesh në regjimet më pak pluraliste në rajon. Siç ka vërejtur Majda Ruge, një anëtare e lartë e politikës në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë: “Qeveritë perëndimore e trajtojnë vazhdimisht Beogradin si lojtarin e domosdoshëm në çështjet kryesore me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Cilado qoftë çështja në fjalë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është personi i parë që ata thërrasin. Një pjesë e kësaj është e kuptueshme: Pushteti në Serbi është i përqendruar tek Vuçiç, i cili ka siguruar një kontroll të konsiderueshëm për veten e tij”.
E, kjo përkrahje ndaj presidentit autoritar serb, sipas revistës amerikane do të thotë “distancim i menjëhershme ndaj Sarajevës, Prishtinës dhe Podgoricës”, pavarësisht se të gjitha këto vende janë dukshëm properëndimore në orientim, dhe Mali i Zi është një vend anëtar i NATO-s. Kjo është për shkak se politika e të tre shteteve nga brenda është shumë e ndashme, kryesisht për shkak të ndërhyrjes direkte të fuqive të jashtme: Serbisë, para së gjithash, por edhe Kroacisë, të paktën në rastin e Bosnjës.
“Me sa duket, administrata e Biden beson se paqja në Ballkan kërkon përqendrimin e interesave të të fortëve mbi të dobëtit, duke përqendruar interesat e atyre që kanë më shumë gjasa të krijojnë paqëndrueshmëri mbi ata që kërkojnë të mbrohen”, vlerëson revista.
Këtë mbështetje, Foreign Policy e sheh si një “lloj i llogaritjes realpolitike që ka nxitur nëpër dekada të politikës së SHBA-së në rajone të paqëndrueshme”.
“Është ajo që Uashingtoni është përpjekur të bëjë me Pakistanin, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe madje edhe Rusinë në vite më parë”.
Brenda artikullit shfaqet edhe një analizë e profesorit amerikan, Daniel Serwer, i cili kishte vlerësuar se ata që i shtynë përpara këto politika që i vuri në pah edhe revista amerikane “janë duke gabuar”.
“Ata janë mbështetur te Serbia si shteti kryesor në rajon për të sjellë stabilitet, në bashkëpunim me Kroacinë dhe Shqipërinë. Por Serbia është një fuqi revizioniste. Ajo dëshiron të qeverisë të gjithë serbët në rajon. Kroacia dhe Shqipëria kanë ambicie më të vogla, por në të njëjtin drejtim: të kontrollojnë bashkatdhetarët e tyre në Bosnje dhe Kosovën fqinje”, kishte thënë Serwer.
Ndërsa, artikulli vlerëson se “deri në çfarë mase Shqipëria është pjesë e këtij triumvirati, mbetet e diskutueshme, por pak vëzhgues të sprovuar vënë në dyshim ambiciet e Serbisë dhe Kroacisë në këtë skemë”.
Megjithatë, si problem i vërtetë në tërë këtë situatë prestigjiozja amerikane thotë se është se “edhe nëse administrata Biden do të rishqyrtonte politikat e saj, është e paqartë nëse kjo do të bënte shumë ndryshim në këtë moment”.
“Hapat e gabuar të presidentit amerikan, Joe Biden në rajon kanë qenë aq të rëndësishme saqë ai mund të mos jetë në gjendje të shpëtojë reputacionin e tij në mesin e komuniteteve më të prekura nga vendimet e tij, të cilat gjithashtu janë popullsia më pro-amerikane në rajon”.
Përkundër kësaj, në artikull thuhet se “me sa duket, megjithatë, as Shtëpia e Bardhë dhe as Departamenti i Shtetit nuk janë të shqetësuar”.
“Në një kthesë historike kurioze, nëse ekipi Biden vjen të pendohet për qëndrimin e tij ndaj Ballkanit, kjo do të jetë, të paktën në afat të shkurtër, për shkak të realiteteve elektorale në SHBA. Xhepat e vegjël por elektoralisht të rëndësishëm të amerikanëve boshnjakë, për shembull, në shtetet e luhatshme si Gjeorgjia, Miçigani, Karolina e Veriut dhe Arizona, ndër të tjera, janë mjaftueshëm për t’i kaluar kandidatit republikan zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA”.