Fuqia e Butë/Soft Power e Rusisë, sipas analizës së Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë, nuk funksionon në mënyrën tradicionale, sipas konceptit të teoricienit amerikan Joseph Nye, por bazuar në faktin se shumica e qytetarëve serbë e shohin Rusinë si një alternativë ndaj Perëndimit.
Fuqia e Butë është një nga tre shtyllat e ndikimit rus – së bashku me lidhjet energjetike dhe mosmarrëveshjen e pazgjidhur me Kosovën – që përforcon varësinë politike të Serbisë nga Rusia dhe nevojën e saj për të kërkuar mbrojtje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Në fakt, Rusia është e vetmja fuqi botërore që përsërit rregullisht gatishmërinë e saj për t’i ofruar Serbisë “garanci” se Kosova nuk do të fitojë njohje të plotë ndërkombëtare, prandaj thonë studiuesit, “kjo nxit popullaritetin rus në shoqërinë serbe dhe e bën jashtëzakonisht të vështirë për çdo qeveri serbe që të ndërmarrë hapa anti-ruse”.
“Kapitali rus i Fuqisë së Butë në Serbi është kryesisht produkt i kujtimeve të hidhura të viteve 1990, ndjenjës së të qenit të refuzuar dhe izoluar nga Perëndimi, zhgënjimit me pavarësinë e Kosovës dhe nocionit se Rusia vepron si një kundërforcë ndaj epërsisë perëndimore”.
Duke përfituar nga ndjenjat pro-ruse në Serbi, theksojnë hartuesit e analizës, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përdor Moskën si një “dordolec” të përshtatshëm në marrëdhëniet e tij me Perëndimin.
“Narrativa rreth kërcënimit rus dhe serbëve radikalë pro-rusë që përpiqen për pushtet e ndihmon atë të shmangë kritikat perëndimore për kthimin demokratik në Serbi. Përshtypja e rreme se Vuçiç do të rrëzohet nga forcat nacionaliste pro-ruse, e shtyn Perëndimin të tolerojë tendencat autoritare të regjimit serb”.
Fuqia e Butë mbetet një nga asetet e fundit të Rusisë në Serbi dhe në Ballkan, potencojnë autorët e analizës, duke shtuar se kjo e bën Serbinë të pambrojtur ndaj presionit rus, megjithëse Moska duket se është e kënaqur me pozicionin e Beogradit për momentin.
“Ky pozicion i lejon Moskës të shmangë një tjetër pengesë poshtëruese – këtë herë në Ballkan, ndërsa ndihmon gjithashtu Rusinë të projektojë një imazh të një fuqie botërore që ka ende aleatë në Evropë”.
Ndërkaq, fushata e Bashkimit Evropian nuk duhet të bazohet në luftën kundër narrativës proruse, sepse sipas vlerësimit të tyre, është tepër vonë për këtë.
“Një strategji e tillë do të ishte kundërproduktive sepse Moska dhe elitat lokale do ta përdorin atë për të akuzuar BE-në për udhëheqjen e një politike presioni dhe ultimatumesh”.
Në vend të kësaj, propozojnë studiuesit, BE-ja duhet të bëjë më shumë për të promovuar veten si një projekt i bazuar në vlera që mund t’u sjellë qytetarëve një jetë më të begatë dhe të rregullt.
“Në atë lloj beteje për Fuqinë e Butë, Rusia nuk ka asnjë shans për të fituar një avantazh”.