Ambasada ruse në Bosnje dhe Hercegovinë ka kritikuar pezullimin e një ligji për pronën e serbëve të Bosnjës dhe ka paralajmëruar për destabilizimin e mundshëm në vendin e tensionuar ballkanik.
Kjo nëse vendimi i përfaqësuesit të lartë të OKB-së nuk revokohet.
Diplomati gjerman, Christian Schmidt, kreu i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së në Bosnje, kishte pezulluar të martën një ligj të miratuar në Republika Srpska në shkurt, i cili vendosi se prona e përdorur nga autoritetet publike lokale i përket rajonit gjysmë autonom serb të Bosnjës.
Ambasada ruse, në një deklaratë të transmetuar nga media lokale të mërkurën, përsëriti se Moska nuk e njeh Schmidt-in dhe i konsideron lëvizjet e tij të paligjshme.
Komentet ruse theksojnë një mosmarrëveshje me Perëndimin mbi politikat në Ballkanin e paqëndrueshëm, ku Moska ka kërkuar të rrisë ndikimin e saj historik.
Me shpërthimin e luftës në Ukrainë, ka pasur frikë nga rritja e tensioneve edhe në Ballkan.
Ligji shihet si pjesë e përpjekjes së serbëve në Bosnje për të fituar sa më shumë pavarësi të jetë e mundur.
Bosnja ka gjithashtu një entitet boshnjako-kroat, së bashku me institucione të përbashkëta qendrore të krijuara për të mbajtur vendin të bashkuar pas luftës së tij 1992-1995.
Në shpalljen e vendimit të tij, Schmidt tha se vetëm shteti boshnjak mund të rregullojë çështjet e pronës dhe kërkoi dialogun brenda Bosnjës për të zgjidhur mosmarrëveshjen.
Udhëheqësit serbë të Bosnjës e kanë kundërshtuar vendimin.
Ambasada e SHBA-ve ka deklaruar se komunitetit ndërkombëtar “nuk i ka mbetur zgjidhje tjetër veçse të veprojë”, pasi udhëheqësit serbë të Bosnjës refuzuan të “angazhohen në mënyrë konstruktive” në zgjidhjen e problemit dhe në vend të kësaj ndërmorën “veprim jokushtetues dhe të njëanshëm”.
Rusia ka mbështetur liderin serb të Bosnjës Milorad Dodik, një anëtar i presidencës multietnike boshnjake, i cili është përballur me sanksione të SHBA-ve dhe Britanisë për minimin e marrëveshjes së paqes të vitit 1995 që i dha fund luftës që vrau më shumë se 100 mijë njerëz dhe bëri miliona të pastrehë.
Në deklaratën e saj, ambasada ruse paralajmëroi kundër veprimeve të Schmidt dhe sanksioneve ndaj Dodik, duke thënë se “e gjithë përgjegjësia për destabilizimin e mundshëm në Bosnje-Hercegovinë do të jetë mbi përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar”.
Lufta shpërtheu sepse serbët e Bosnjës donin të bashkoheshin me Serbinë fqinje.
Dodik ka bërë thirrje vazhdimisht për ndarjen e serbëve nga pjesa tjetër e Bosnjës.
Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje ka autoritetin të pezullojë ligjet dhe të zëvendësojë zyrtarët që konsiderohen se shkelin marrëveshjen e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA.
Marrëveshja krijoi gjithashtu një këshill shumëkombësh që mbikëqyr zbatimin e paqes, ku Rusia kundërshton në mënyrë rutinore lëvizjet perëndimore.