Pushtimi rus i Ukrainës po përhap panik mes shteteve ish-sovjetike të cilat i druhen një pushtimi të mundshëm nga Rusia.
Moldavia i trembet faktit se mund të jetë pikërisht radha e saj të pushtohet nga Putin.
Kjo ka qenë edhe arsyeja përse presidenca moldave aplikoi zyrtarisht për t’iu bashkuar BE-së, vetëm 1 javë pas pushtimit rus të Ukrainës.
Por a mund të jetë vërtetë radha e Moldavisë?
BBC raporton se zyrtarët moldavë kanë përcjellë shqetësimin se shumë shpejt ata mund të kthehen në objektivin e ardhshëm të Kremlin.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinkne, u takua ditën e enjte me 2 gratë që udhëheqin shtetin moldav: kryeministren Natalia Gavrilita dhe presidenten Maia Sandu. Ai është i vetmi sekretar shteti i cili ka vizituar Moldavinë.
Sipas zyrtareve moldave, pavarësisht disa fjalëve të ngrohta dhe gatishmërisë së shprehur nga Blinken, ato ende mbeten të pasigurta para një të realiteti të zymtë siç mund të ishte ai i pushtimit rus.
Nuk ka ende asnjë të dhënë bindëse që mund të konfirmojë frikën e Moldavisë, raporton BBC. Por frika e tyre është e bazuar në historinë e 3 dekadave të fundit, kur një rajon pro-rus vetëm 128 km larg kryeqytetit – në kufi me Ukrainën – Transnistria, u shkëput nga Moldavia në vitin 1990.
Që atëherë, Moska ka instaluar një bazë ushtarake atje, me rreth 1,500 ushtarë.
Një tjetër fakt shqetësues, është momenti kur presidenti bjellorus i cili ka dal haptas pro-Putin, Alexandar Lukashenko, qëndroi para një harte duke treguar me gisht pikërisht Moldavinë.
Moldavia është një nga shtetet më të vogla dhe më të varfra në Europë, me një popullsi prej 2.6 milionë banorësh.
Sipas analistit Valeriu Pasa, “Moldavët janë koshient që nuk e kanë sigurinë e duhur që garanton anëtarësimi në NATO – ndryshe nga fqinjët e tyre rumun”.
“Çdo gjë varet nga situata në terren: sidomos nëse Rusia merr nën kontroll rajonin e Odesës, Moldavia do të ishte tërësisht e ekspozuar,” – i tha ai Associated Press.
Pasa shtoi se Moldavia është shënjestruar disa herë tashmë nga ‘agresioni hibrid’ i Moskës – më së shumti në formën e kufizimit të dërgesave dhe furnizimeve me gaz – ndëshkim ky që erdhi si kundërpërgjigje e Rusisë ndaj distancimit të Moldavisë dhe afrimit të saj me Bashkimin Europian.
Por kjo krizë mund të kthehet edhe në një mundësi të artë për Moldavinë – sidomos nëse BE i hap dyert Ukrainës.
Kjo do t’i rriste shanset e vendeve të ndryshme që i druhen pushtimit rus si Gjeorgjia apo Kosova të cilat që prej fillimit të krizës kanë bërë thirrje që t’i bashkohen NATO-s dhe Bashkimit Europian.