Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Borell: Ballkani Perëndimor është shënjestër e manipulimit nga ana e mediave shtetërore ruse

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ka thënë se vendimi i BE-së për ndalimin e punës së mediave shtetërore ruse është i justifikuar, duke deklaruar se ato janë pjesë përbërëse e agresionit rus kundër Ukrainës dhe përpjekjeve për të shpërbërë dhe minuar demokracinë evropiane, madje ato kanë shënjestër Ballkanin Perëndimor sepse sipas tij synohet që të nxisin konflikt ndëretnik.

Media shtetërore ruse dhe sistemi rreth tyre janë “një pjesë integrale e agresionit kundër Ukrainës”, ka thënë Borell gjatë një debati në Parlamentin Evropian mbi ndërhyrjen e jashtme në proceset demokratike brenda BE-së.

Në fjalimin e tij para deputetëve të Parlamentarëve Evropianë (PE), ai hodhi poshtë kritikat se ndalimi i punës së televizionit Russia Today – RT dhe agjencisë Sputnik, ishte shkelje e të drejtave.

“Këto nuk janë media të pavarura, por armë në sistemin e manipulimit të Kremlin-it”, theksoi Borell, duke pretenduar se Rusia po gënjen për luftën dhe vuajtjet e popullit ukrainas.

Borell tha se kjo nuk është një përpjekje për të vendosur se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është gënjeshtër dhe se BE-ja nuk ka një ministri të së vërtetës, por duhet të merret me përpjekje të qëllimshme dhe të koordinuara për të manipuluar hapësirën e informacionit.

Ballkani është veçanërisht i shënjestruar

Në diskutimin për raportin e Komisionit të Posaçëm të Parlamentit për Ndërhyrje të Jashtme, Borell ka theksuar se dokumenti paralajmëron se zona e Ballkanit Perëndimor është veçanërisht në shënjestër të manipulimeve nga Rusia, por edhe nga Kina.

Rusia po përpiqet të përdorë tensionet midis grupeve etnike ballkanike për të nxitur konfliktet dhe për të ndarë ato komunitete, të cilat sipas raportit mund të destabilizojnë të gjithë rajonin.

Raporti i atij komisioni të PE-së thekson gjithashtu se përpjekjet e Kishës Ortodokse në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë (BeH), dhe veçanërisht në Republikën Srpska, për të promovuar Rusinë si mbrojtëse të vlerave tradicionale familjare dhe për të forcuar marrëdhëniet midis shtetit dhe kishës, janë shqetësuese.

Ai shprehu shqetësimin se Serbia dhe Hungaria po ndihmojnë Rusinë dhe Kinën në synimet e tyre gjeopolitike.

BE dhe shtetet anëtare të saj kanë intensifikuar përpjekjet “për të luftuar ndërhyrjen dhe manipulimin e informacionit, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, i cili aktualisht është në shënjestër sistematike nga fushatat ruse dhe të tjera”, ka thënë Borell.

LAJME TË TJERA >>