Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov pritet të takohet të enjten e 10 marsit në Antalia të Turqisë me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, ishte ai që njoftoi një takim trepalësh me Ukrainën dhe Rusinë.
“Ne do ta mbajmë këtë takim në një format trepalësh në Antalia të enjten, më 10 mars”, tha ministri turk.
Duke shprehur shpresën se takimi “do të jetë një pikë kthese” dhe “hap i rëndësishëm” drejt paqes dhe stabilitetit, ai theksoi se Ankaraja “do të vazhdojë të bëjë përpjekje për një paqe të qëndrueshme”.
Takimi vjen pasi Rusia vijon pushtimin e saj në Ukrainë.
Ukraina thotë se sulmet me raketa kanë prekur zona të banuara në disa qytete dhe se kryeqyteti Kiev mund të përballet me një sulm të gjithanshëm.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është pritur me zemërim nga komuniteti ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe dhe SHBA-të, ndër të tjera, që vendosën një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Moskës.
Sipas shifrave të OKB-së, të paktën 364 civilë janë vrarë dhe 759 të tjerë janë plagosur në Ukrainë, që kur Rusia nisi një luftë kundër vendit të Evropës Lindore më 24 shkurt.
Kjo sipas shifrave të OKB-së, ndërsa numri real dyshohet të jetë më i lartë.