Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Rusia pushton Ukrainën, NATO aktivizon planin e mbrojtjes

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia filloi. Në orën 4 të mëngjesit (me atë europiane), Vladimir Putin nisi atë që ai e quajti një “operacion special ushtarak” në Ukrainë, i cili me kalimin e minutave doli të ishte një sulm total.

Ishte vetë presidenti rus që e bëri të ditur këtë në një fjalim në TV, pas orëve të gjata në të cilat përpjekjet e fundit diplomatike për të shmangur konfliktin kishin dështuar dhe ndërkohë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së ishte në zhvillim e sipër.

Putin tha se qëllimi i tij është të “çmilitarizojë, por jo të pushtojë” Ukrainën, duke shtuar se ai synon të “denazifikojë” vendin fqinj.

Mbi 50 viktima

Mediat ukrainae raportojnë se si pasojë e sulmeve, kanë humbur jetën deri tani rreth 10 civilë dhe më shumë se 40 ushtarë. Megjithatë të dhënat janë gjithmonë në përditësim dhe mund të ndryshojnë.

Zyrtarët thonë se një sulm në njësinë ushtarake në Podilsk, jashtë Odessa i mori jetën 6 personave, ndërsa të plagosur mbetën 7 të tjerë. Të paktën 19 persona rezultojnë po ashtu të zhdukur. Një tjetër person humbi jetën në qytetin e Mariupol.

Forcat ruse në Çernobil: Impiantet në rrezik

Sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, luftimet po zhvillohen edhe në zonën e ish-centralit bërthamor të Çernobilit, një qendër të aksidentit katastrofik të vitit 1986.

Ushtarët ukrainas “po sakrifikojnë jetën e tyre për të shmangur një Çernobil të dytë”, shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskij, në Tëitter. Megjithatë, lajmi sipas të cilit është goditur një depozitë mbetjesh nuk është konfirmuar. Çernobili ndodhet në veri të Kievit pranë kufirit me Bjellorusinë.

NATO aktivizon planin e mbrojtjes

“Paqja në kontinentin tonë është thërrmuar”, është mesazhi i kobshëm për Europën nga Sekretarii Përgjithëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në deklaratën e tij, ai është shprehur se Rusia po përpiqet të rishkruajë historinë dhe të mohojë rrugën e lirë dhe të pavarur të Ukrainës.

Detyra thelbësore e NATO-s është të mbrojë dhe përkrahë aleatët, thotë ai. “Sulmi ndaj njërit do të llogaritet si sulm ndaj të gjithëve”, shprehet Stoltenberg.

Ditën e sotme, NATO ka vendosur aplikimin e strategjisë mbrojtëse për ruajtjen dhe mbrojtjen e vendeve të tjera. Kjo do të thotë se Aleanca Transatlantike do të dërgojë forcat e saj kudo që të nevojitet, deklaron Stoltenberg.

Në ndryshim nga NATO, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka deklaruar se trupat amerikane nuk do të dërgohen në Ukrainë.

Rusia, mbi 200 sulme deri më tani në Ukrainë

Rusia ka ndërmarrë 203 sulme që prej nisjes së ditës së sotme. Ky njoftim vjen nga shërbime kombëtare të policisë së Ukrainës. Në një deklaratë thuhej se luftimet janë shtrirë pothuajse në të gjithë territorin.

Ditën e sotme ka pasur raportime të shumta për bombardime dhe shpërthime, ndërsa flitet se trupat ukrainase po luftojnë me rusët në kufi. Komandanti i përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se trupat e tij po luftojnë për kontrollin e aeroportit Hostomel në rajonin e Kievit.

Trupat e kufirit janë duke luftuar në lindje të qytetit Sumy. Në lindje të Ukrainës disa trupa ruse janë marrë të burgosur pas luftimeve të ashpra. Këtë të fundit  e lajmëron vetë zv/ministri i Mbrojtjes së Ukrainës.

Paralajmërimi i fortë i Putinit

Ai paralajmëroi gjithashtu botën: “Kushdo që përpiqet të ndërhyjë ose të na kërcënojë duhet të dijë se përgjigja e Rusisë do të jetë e menjëhershme dhe do të çojë në pasoja të papara në histori”.

Udhëheqësi i Kremlinit nuk specifikoi shtrirjen territoriale të operacionit, por bombat filluan të godasin në të gjithë territorin ukrainas, dhe trupat filluan të hyjnë në Ukrainë gjithashtu nga kufijtë veriorë (Bjellorusia) dhe jugore (Krime), me sulme në portet strategjike, të Mariupolit dhe Odesës e deri në kryeqytetin Kiev.

Putin tha se forcat ajrore ukrainase ishin neutralizuar, ndërsa ushtria ruse njoftoi se bombardimet nuk janë ndaj civilëve dhe ata duhet të jenë të qetë për këtë.

Presidenti ukrainas shpalli ligjin ushtarak në të gjithë vendin, ndërsa Ministria e Mbrojtjes bëri thirrje për mobilizim masiv. Raportime ka se trupat ruse kanë hyrë në Ukrainë ka edhe nga kufiri me Bjellorusinë dhe nga Krimea.

Presidenti amerikan Joe Biden e quajti sulmin “të paprovokuar dhe të pajustifikuar”, duke shtuar se Putin “ka zgjedhur një luftë të paramenduar që do të çojë në humbje katastrofike të jetës dhe vuajtje” dhe se ai do të duhet t’i japë “llogari” botës.

Udhëheqësit evropianë gjithashtu dënuan sulmin dhe njoftuan sanksione të reja të rënda kundër Moskës.

Paralelisht me urdhrin e marrë për të hyrë në dy  rajonet separatiste të Ukrainës, ushtria ruse ndërmori një fushate bombardimi ajror në të gjithë territorin e Ukrainës.

Objektivat e bombardimeve ruse janë infrastruktura ushtarake, aeroportet dhe rrugët e lëvizjes së ushtrisë ukrainase.

Në një deklaratë të përbashkët pas një takimi virtual, liderët e Francës, Gjermanisë, Japonisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë si dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dënuan ashpër pushtimin rus të Ukrainës.

Kriza është një “kërcënim serioz për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, me pasoja përtej Evropës”, ​​thanë udhëheqësit e G7, duke shtuar se Putini “e ka vënë veten në anën e gabuar të historisë”.

Në deklaratë thuhet:

“Ne dënojmë Presidentin Putin për refuzimin e tij të vazhdueshëm për t’u përfshirë në një proces diplomatik për të adresuar çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë evropiane, pavarësisht ofertave tona të përsëritura.

Ne qëndrojmë të bashkuar me partnerët, duke përfshirë NATO-n, BE-në dhe shtetet e tyre anëtare, si dhe Ukrainën dhe mbetemi të vendosur për të bërë atë që është e nevojshme për të ruajtur integritetin e rendit ndërkombëtar, bazuar në rregulla”.

Ndërkohë të enjten në mbrëmje, situata ushtarake në terren po përkeqësohet: ndërsa tanket ruse janë tani në qytetin e Sumy, duke depërtuar për më shumë se 50 kilometra në territorin ukrainas, trupat nga Moska kanë marrë kontrollin e aeroportit Hostomed. “Kiev mund të bjerë brenda disa orësh,” vlerësuan burime të NATO-s të cituara nga agjencia Bloomberg. Në mbrëmje rifilloi edhe një bombardim i fortë i qytetit port të Mariupolit.

LAJME TË TJERA >>