Filozofi gjerman, Martin Heidegger në esenë Letër mbi humanizmin, çështjen e humanizmit e rrok në mënyrë indirekte, por duke ballafaquar direkt mendimin e tij si kritikë ndaj humanizmit klasik.
Letër mbi humanizmin pothuajse katalogon fillesat më të rëndësishme të të gjithë filozofisë së mëvonshme të Heidegger-it, si kuptimi i historisë së Qenies, mënyra se si Heidegger-i e sheh ri-zgjimin e asaj historie, lidhjen e saj me traditën filozofike, kuptimin e veprimit, rolin e teknologjisë, artit dhe gjuhës në fatin historik të Qensimit. Dhe mbi të gjitha, nevojën e një mendimi të ri për të përgatitur pikërisht atë fat.
Sipas Heidegger-it, filozofët që kishin trajtuar më parë Qenien (sidomos Sartre), nuk kishin arritur të preknin thelbin e çështjes, pra ata mendonin të qenurit si të tillë, ndërsa Qenia që i jepej mendimit të tyre për t’u ndërtuar si dije e të qenurit, mbetej krejtësisht në harresë.
Për Heidegger-in tek kryevepra e tij Qenia dhe Koha, Dasein-i, si term, nuk është i barabartë me njeriun, përkundrazi, njeriu është një qenie, kurse Dasein-i një proces.
Njeriu është i hedhur në botë, dhe si i tillë “ek-ziston”, por se nuk i përgjigjet pyetjes nëse njeriu është apo jo real por, vetëm pyetjes rreth “thelbit” të njeriut.
Kurse fakti i të qenurit të njeriut atje (Dasein) është përgjigja ndaj hedhjes së Qenies, përkatësisht replika e tij.
“Ajo që flaket, në të projektuarit, nuk është njeriu, por vetë Qenia që i përcakton njeriut fatin në ekzistencën si qenie atje”, thotë Heidegger.
Ndërsa analitika e qenies së njeriut sipas tij, vazhdimisht finalizohet nga “ontologjia” dhe se gjuha është shtëpia e njeriut.
Kjo sigurisht tregon që gjuha është më shumë se një mjet i përdorimit nga njeriu.
Ne thjeshtë jetojmë në gjuhën tonë; ne jetojmë jetën e përcaktuar prej saj (gjuhës) dhe mendojmë për aq sa e sjellim Qenien në gjuhë thotë Heidegger.
Në Letrën mbi humanizmin, Heidegger në vazhdimësi përpiqet të sjellë Qenien në gjuhë, dhe atë në mënyra të reja dhe krejtësisht të paparashikuara, sepse sipas tij, të menduarit është sjellja në gjuhën e Qenies, dhe se të menduarit është më shumë “veprim sesa veprimi që nuk përcaktohet nga mendimi”.
Kthesa e ontologjisë fundamentale të Hajdegger-it mundohet t’i abdikoj dikotomitë e krijuara nga kanoni Dekart-Kant-Hegel duke na përvijuar jo të vërtetën e Qenies por, të Qenit si të vërtetë.
Kjo ese ishte shkruar në vjeshtën e 1946-tës nga Heidegger-i si letër-përgjigje ndaj Jean Beaufret i cili i kishte kërkuar një sërë përgjigjesh nga filozofi gjerman.