Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Kush është prokurori që i ra shorti për të hetuar Armand Dukën?

Hetimet ndaj Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit kanë hyrë në rrjedhën e vetë procedurale. Në Prokurorinë e Tiranës për të “mbushur” me fakte dosjen e akuzës ndaj Armand Dukës, shorti i ka rënë prokurorit Saimir Hysa. Ai është një emër i njohur në sistemin e drejtësisë, pasi nëpër duar ka kaluar disa dosje të bujshme si prokuror në kryeqytet.

Mes dosjeve që ka hetuar ky prokuror është ajo e aferës CEZ-DIA me të pandehur Kastriot Ismailjan. Në këtë çështje, me firmën e prokurorit Hysa u pushuan hetimet në 2019-n me arsyetimin se ishin tejkaluar të gjitha afatet ligjore për ndjekje penale ndaj Ismailajt.

Kjo aferë shpërtheu pas 2013-s dhe lidhej me një marrëveshje të nënshkruar mes kompanisë DIA, të Kastriot Ismailajt dhe kompanisë çeke CEZ, që mbajti për pak vite sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike në vend përmes një marrëveshjeje të kontestuar privatizimit të OSHEE-së të nënshkruar në 2019-n.

Kastriot Ismailaj nënshkroi me CEZ një marrëveshje për mbledhjen e borxhit të akumuluar nga faturat e papaguara të energjisë elektrike nga qytetarët dhe bizneset. Gjatë kohës kur ishte nën hetim nga prokuroria, biznesmeni u akuzua së në 6 muaj, 9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 milionë dollarë nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara. Pjesën më të madhe të fondeve u zbulua se e mori DIA me administrator Kastriot Ismailaj, gati 6.5 milionë dollarë.

Prokurori Hysa kërkoi në 2019-n pushimin e hetimeve ndaj Ismailajt për akuzën e mashtrimit, por Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës urdhëroi të kundërtën, duke i kërkuar kryerjen e disa veprimeve procedurale brenda një afati kohor prej 6 muajsh. Prokurori Hysa e apeloi këtë vendim dhe në Apel çështja u pushua. Sipas prokurorit, vendimi i Shkallës së Parë ishte i padrejtë dhe se ndaj Ismailajt nuk ka kallëzim, pasi hetimet ishin nisur kryesisht nga prokuroria. Gjithashtu, në apelimin e prokurorisë theksohet se palët në kontratë janë shoqëri private dhe se asnjëra prej tyre nuk kishte bërë kallëzim për mashtrim.

Një tjetër dosje e bujshme që është hetuar nga prokurori Hysa është edhe padia e ngritur nga shoqata “TOKA” në 2018-n për lejen e dhënë për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës. Hysa ka shqyrtuar dokumentacionin e procesit të mbledhjes së firmave të banorëve.

Sipas padisë së shoqatës dhe siç u provua më vonë, mes personave që rezultonin sikur kishin firmosur për ndërtimin e këtyre HEC-eve kishte edhe persona që kishin ndërruar jetë prej kohësh. Por, prokurori Hysa ka pushuar hetimet duke arsyetuar se “takimet dhe firmat vërtetohen nga deklarimet e 4 shtetasve dhe nuk mund të hidhen poshtë nga deklarimet e personave të tjerë që nuk kane qenë prezent në këtë takim”.

Padia kundër HEC-eve në Valbonë u ngrit nga shoqata “Toka” dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit, që thanë se ato po ndërtoheshin pa leje mjedisore dhe për më tepër brenda një zonë të mbrojtur me statusin më të lartë; atë të Parkut Kombëtar”.

Arsyetimin e prokurorit Hysa e rrëzoi tërthorazi edhe Gjykata e Lartë, që i dha të drejtë palës paditëse dhe urdhëroi ndalimin e punës në këto HEC-e. Mes provave që u dorëzuan në Gjykatën e Lartë ishte edhe ai i falsifikimit të firmave të mbledhura nga banorët e zonës, që provuan se proceset e konsultimeve publike ishin fiktive.

Prokurori Saimir Hysa është në listën e pritjes për të kaluar në veting. Në 2002, në kohën kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Theodhori Sollaku, prokurorit Saimir Hysa iu dha “vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”, prokurorëve, së bashku me prokurorët e tjerë të Prokurorisë së Tiranës, Shkëlqim Gani, Dritan Ribaj dhe Irena Vujoshi

LAJME TË TJERA >>