Rafael Nadal ka fituar për herë të dytë në karrierë Australian Open. Një rekord për tenistin spanjoll, me 21 turne Slam të fituar, 1 më shumë se Novak Gjokoviç dhe Roxher Federer. Është dorëzuar Danil Medvedev, edhe pse i kishte mundësitë për fitore, pasi shkoi 2-0.
Seti i parë u dominua nga rusi, më i ekuilibruar i dyti që gjithsesi u fitua nga numri 2 i tenisit botëror. Një fund dramatik ai i setit të tretë, i fituar nga Nadal, i cili më pas përmbysi gjithçka. Rezultati përfundimtar është 2-6, 6-7, 6-4, 6-4 dhe 7-5.
Rafael Nadal ka shkruar historinë në moshën 35-vjeçare me këtë përmbysje të madhe në Australian Open. Ai tashmë mbretëron i vetëm, pasi ka kaluar Federerin dhe Gjokoviçin, të dy me nga 20 turne Slam të fituar.
“Këtë turne do ta mbaj gjithmonë në zemër, kam përjetuar 3 javë të pabesueshme dhe sot është një nga ditët më emocionuese të jetës sime”, – ka thënë Nadal pas fitores. Sapo fitoi pikën e fundit, ai buzëqeshi dhe qau, duke u gjunjëzuar në tokë. Gjatë marrjes së trofeut, ai tregoi emocionet e tij:
“E pabesueshme që 45 ditë më parë mendoja se mund të tërhiqesha. Para se të filloja, thashë se ky do të ishte turneu im i fundit në Australi, tani nuk e mendoj kështu. Nuk e di si ia dola, jam i shkatërruar, por i lumtur. Nuk di si ta them sa speciale është kjo fitore. Sot, kur isha në disavantazh 0-2, i thashë vetes të vazhdoja të besoja. Ishte një ndeshje e madhe. Në Australi kam humbur shumë herë dhe doja të fitoja. Tani që mbaj këtë trofe në duar është një çmenduri. Një ndeshje historike, kënaqësia është e jashtëzakonshme”.