Përveç luftës 1-vjeçare me Covid-19, në 2021-shin, bota u përball dhe me luftëra dhe konflikte që rrezikuan dhe morën jetë njerëzish.
Një ndër konfliktet më të mëdha ishte ai midis Izraelit dhe Gazës që shënoi mbi 140 viktima. Fillimisht konflikti nisi kur Izraeli goditi disa ndërtesa në Gaza, që sipas qeverisë përdoreshin nga militantët dhe inteligjenca. Qeveria e Gazës u kundërpërgjigj në të njëjtën mënyrë duke nisur një konflikt të dhunshëm që kufizoi lëvizjet dhe përfshiu autoritetet ndërkombëtare.
SHBA dhe aleatët e saj i bënë thirrje Izraelit për armëpushim, por shteti izraelit nuk e pranoi këtë. Të dyja shtetet nënshkruan një armëpushim në fillim të shtatorit 2021, por Izraeli e ka thyer atë me provokime të herëpashershme.
Vendimi për largimin e trupave amerikanë nga Afganistani, riktheu forcat talebane atje, dy javë pasi SHBA të tërhiqte përfundimisht trupat. Talebanët morën kontrollin e kryeqyetit të Kabulit. Të pasigurt për jetën e tyre, afganët vërshuan drejt aeroportit për t’u larguar sa më parë nga vendi i tyre i origjinës. Aeroporti kontrollohej ende nga forcat amerikane. Vendimi i SHBA-së do të mbyllte misioni 20 vjeçar të largimit te talebanëve nga territori afgan, nisur që nga shtatori i 2001.
Më shumë se 100 qytetarë u vranë nga talebanët vetëm gjatë gushtit 2021.
Afganistani vazhdon ende të jetë nën kontrollin e grupeve talebane të cilët kanë implementuar atje rregullat dhe ligjet e tyre, ku ndër më diskriminueset janë ato lidhur me daljet publike apo mediatike të grave, që janë ndaluar plotësisht.
Në Europë, konfliktet nuk ishin të dhunshme, por pati një numër të lartë viktimash. Në kufirin Poloni-Bjellorusi, kanë ngecur mijëra emigrantë nga Iraku dhe Siria me qëllimin e hyrjes në Gjermani. Emigrantët janë refuzuar nga të dyja palët, por presidenti bjellorus po e vështirëson më shumë situatën me mospranimin as të emigrantëve që kanë lejeqëndrimi për në Bjellorusi, kur pak muaj më parë ishte vetë ai që i kishte bërë ftesën. Në kufi kanë vdekur dhjetëra qytetarë për shkak të të ftohtit, urisë dhe dhunës nga garda bjelloruse. Viktima më e re ishte një i porsalindur sirian, që nuk mundi të jetojë për shkak të mungesës së ushqyerjes nga e ëma kur ishte shtatzënë.
Qeveria polake i ka kthyer mbrapsht emigrantët që kanë hyrë në territorin e saj, duke i lënë në kufirin bjellorus dhe duke shtuar kufizimet dhe rrethimet aty. Emigrantët që po mbijetojnë në kampet e improvizuara në pyjet bjelloruse nuk kanë shpresa se do t’ja dalin ta përballojnë të ftohtin e dimrit bashkë me fëmijët e tyre.
Nisur që në fund të vitit 2020, në konfliktin midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për territorin e Nagorni Karabakut kanë humbur jetën rreth 3.700 qytetarë armenë. Konflikti nisi pasi Azerbajxhani dërgoi një ofensivë ushtarake në Nagorno që administrohet nga ky shtet, por ka qenë i kontrolluar gjithmonë nga forcat etnike armene, që sipas Azerbajxhanit po bën ende spastrim etnik në atë territor.
Konflikti tjetër në Europë që po shkakton kaos dhe përtej oqeanit është konflikti i Rusisë me Ukrainën, ku në kufi, Rusia ka dërguara mbi 90 mijë forca ushtarake, gjë që ka tensionuar Ukrainën, NATO-n dhe SHBA-në. Konflikti i “i lënë pezull” nga viti 2015 kur Rusia u detyrua të nënshkruante një marrëveshje paqeje pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina. Putin këtë herë ka kërkuar që NATO të garantojë mospranimin e Ukrainës si pjesë e Aleancës dhe të mos zgjerojë ndikimin e saj në shtetet kufitare me Rusinë. Momentalisht NATO dhe SHBA po e ndihmojnë Ukrainën me artileri të rëndë në rastin e një konflikti të mundshëm ushtarak, që sipas Biden do t’i sillte Rusisë sanksione të forta ekonomike. Një ndër të cilat është pezullimi i gazsjellësit Nord Stream 2. Putin dhe Biden patën një takim online por pritet që ata të takojnë vërtetë më 10, 12 dhe 13 janar 2022, bashkë me anëtarët e NATO-s.
Një tension në prag konflikti ishte dhe ai në Mitrovicën e Veriut midis qytetarëve serbë dhe forcave speciale të Kosovës. Kur qeveria Kurti vendosi reciprocitetin e targave ndaj Serbisë, homologët serbë dhe qytetarët e kundërshtuan dhe protestuan për 10 ditë me radhë. Në Jarinjë të Mitrovicës së Veriut, dhjetëra protestues serbë bashkë me makina dhe kamionë bllokuan rrugën në formë proteste duke ndaluar qarkullimin e mjeteve aty. Forcat e KFOR u bënë pjesë e protestës në rast të përshkallëzimit të situatës midis palëve.