Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Joe Biden dhe e ardhmja e politikës së jashtme amerikane

Vendimi i presidentit Joe Biden për të vazhduar me tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, ka shkaktuar krizën e parë të madhe të presidencës së tij në fushën e politikës së jashtme. Imazhet tronditëse pas sulmit me bombë në aeroportin e Kabulit, janë rezultat i dëshirës së Biden për të mbyllur kapitullin e një lufte në të cilën ai nuk besoi asnjëherë vërtet, dhe për ta zhvendosur vëmendjen e politikës së jashtme amerikane larg hijes së gjatë të “luftës ndaj terrorizmit”, teksa po i afrohet 20 vjetorit i fillimit të saj.

Pra Biden po përpiqet të sigurojë që një reagim i vazhdueshëm ndaj ngjarjeve të 11 Shtatorit, të mos jetë kauza kryesore e veprimit të SHBA jashtë vendit. Presidenti amerikan është kritikuar me të drejtë për kryerjen e një tërheqjeje të pamenduar, e cila i befasoi si aleatët ndërkombëtarë ashtu edhe vetë popullin afgan.

Por logjika pas vendimit të tij,gjendet tek besimi i tij i kahershëm se lufta në Afganistan nuk mund të fitohej dot asnjëherë. Siç është shprehur edhe analisti i politikës së jashtme Edward Luce:“Nuk ka asnjë mënyrë elegante për ta braktisur luftën që e keni humbur”.

Për gati 2 dekada,SHBA-ja ka shpenzuar mbi 1 trilionë dollarë për trajnimin e Ushtrisë Kombëtare Afgane. Administratat e njëpasnjëshme, janë frustruar jo pak nga nivelet e paaftësisë dhe korrupsionit në zemër të politikës afgane.

I vetëdijshëm për këtë, dhe po ashtu edhe për historinë që tregon rezistencën e Afganistanit ndaj imponimit të sundimit të jashtëm ushtarak, Biden vendosi që kjo luftë duhej të merrte zyrtarisht fund. Sigurisht, paraardhësi i Biden, Donald Trump, nënshkroi fillimisht një marrëveshje me talebanët, ku u ra dakord për tërheqjen e forcave amerikane në shkurt.

Por për ta kuptuar pse Biden e zbatoi këtë marrëveshje, duhet të kuptojmë dy gjëra. Së pari, vetë e kaluara e tij bie në kundërshtim me shumë elementë kryesorë të luftës në Afganistan. Dhe së dyti, me një rishikim më të madh të politikës së jashtme që po përpiqet të kryejë.

Kur u pyet në vitin 2014 se ku mendonte se ishte ndikimi më i madh i zëvendësit të tij, Obama u përgjigj:“Në frontin e politikës së jashtme. Mendoj se ndikimi më i madh i Joe ishte në debatin mbi Afganistanin”. Vetëm një javë para inaugurimit të tyre në detyrë në janar të vitit 2008, presidenti i zgjedhur Obama e dërgoi Biden në një mision fakte-mbledhës në Afganistan për të vlerësuar gjendjen që do të trashëgonte administrata e re.

Gjatë asaj vizite Biden u bë menjëherë “pesimisti i brendshëm” në lidhje me Afganistanin, dhe ai kërkoi mënyrat se si të minimizohej përfshirja amerikane në atë luftë. Pasi mori kërkesën zyrtare të gjeneralit Stanley Mcchrystal për trupa shtesë në Afganistan në gushtin e vitit 2009, Obama i kaloi 2 muajt e ardhshëm duke zhvilluar dhjetë takime zyrtare në të cilat anëtarët kryesorë të administratës, përfshirë Biden, diskutuan një rishikim të strategjisë në luftën afgane.

Në ato takime, Biden u inkurajua nga Obama të argumentonte nevojën e një qasje më të hapur kundër terrorizmit në Afganistan. Qasja e re u fokusua tek vrasja me dron e talebanëve dhe udhëheqësve të Al-Kaedës. Ajo ishte në kontrast të thellë me qasjen e preferuar nga Sekretari i Mbrojtjes i Obamës, Robert Gates dhe Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, që e vinte theksin tek ndërtimi i kombit si një prelud për reduktimin e dhunës. Biden dhe Gates u përplasën vazhdimisht mbi Afganistanin, dhe veçanërisht mbi nevojën për një“shtim”të trupave në vend, gjë që u kundërshtua nga Biden.

Megjithatë ky ishte një debat që Biden e humbi. Obama vendosi dërgimin e 30.000 trupave shtesë në Afganistan në vitin 2009. Por kjo nuk e ndaloi Biden të vazhdonte të vinte në dyshim përparimin që po bëhej atje. Vitin që pasoi Biden deklaroi publikisht se SHBA do të ishte“tërësisht jashtë” Afganistanit deri në vitin 2014.

Ajo deklaratë, e detyroi Robert Gates ta akuzonte Biden për pabesi, duke punuar në mënyrë aktive për të treguar se presidenti “kishte gabuar… dhe se lufta në terren po vazhdonte nga keq në shumë më keq”.

Tani që është tërhequr nga Afganistani, Biden ka nisur një reformim të politikës së jashtme amerikane. Ai është i prirur të tregojë se epoka e “luftës kundër terrorizmit”, e krijuar nga George W.Bush pas sulmeve të 11 Shtatorit, ka përfunduar.

Biden nuk ka durim të merret me eksperimentet e ndërtimit të kombeve, të kryera nga ushtarët amerikanë që zbatojnë operacionet kundër kryengritjeve lokale. Misioni i tij është të ri-kalibrojë prioritetet e politikës së jashtme amerikane për shekullin e ardhshëm, dhe të çlirohet nga reagimi i pambarimtë ndaj një sulmi terrorist të ndodhur 20 vite më parë.

Natyrisht, terroristët do të kërcënojnë sërish interesat kombëtare të SHBA-së, përfshirë degën e Shtetit Islamik brenda Afganistanit, ISIS-K. Marrëdhëniet e këtyre të fundit me talebanët janë deri tani të prishura, por ato mund të zhvillohen në diçka më të dobishme reciprokisht.

Nga ana tjetër – siç e tregon sulmi në aeroportin e Kabulit – ata mund të provojnë të jenë një aktor i pabindur, i pavarur nga kontrolli i talebanëve. Mundësia që ISIS-K të përfitojë nga situata është e madhe. Marrëdhëniet e ardhshme mes talebanëve dhe ISIS-K do të jenë të një rëndësie të madhe për të ardhmen e Afganistanit.

Por fokusi mbi aktorët e dhunshëm jo-shtetërorë, është zhvendosur tani në sferën më të gjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe kjo për shkak të rikthimit të politikës së fuqisë së madhe. Reagimi ndaj pasojave ushtarake dhe politike nga ngritja e Kinës, është tani loja e vetme për Biden.

Në fakt, zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka ndërmarrë një turne në Azi teksa shpërtheu kriza në Kabul, gjatë të cilit ajo e shtoi retorikën kundër Kinës. Tani mund të shihet qartë drejtimi i politikës së jashtme amerikane për vitet e ardhshme.

Partneri i vjetër luftarak i Biden në Afganistan, Robert Gates, e kritikoi presidentin e 46-të amerikan në kujtimet e tij për “gabime në pothuajse çdo çështje të rëndësishme të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare gjatë 4 dekadave të fundit”. Shumëkush është i paqartë nëse Biden do të jetë në anën e duhur të historisë me vendimin për t’i dhënë fund “luftës së përjetshme” të Amerikës në Afganistan, por të paktën ai nuk mund të akuzohet për inkoherencë lidhur me këtë çështje.

LAJME TË TJERA >>