E krijua 73-vite më parë, si një klub futbolli i kryeqytetit, Tiranës, si përfaqësuese e Ministrisë së Brendshme, Dinamo është skuadra e dytë më e titulluar në vend pas Tiranës, me 18 tituj kampion të fituar, 13 Kupa të Shqipërisë dhe 2 Superkupa të vendit.
Ata rivalizuan bindshëm Tiranën dhe Patizanin, të krijuar përpara saj, duke krijuar një derbi tresh të kryeqytetit, që për dekada me radhë kanë mbajtur lart rivalitetin dhe nivelin e futbollit shqiptar.
Në edicionin 2012-2013, zbritën të luanin në Kategorinë e Parë (e dyta e futbollit shqiptar), duke kaluar aty 9 vite të errëta, pa mundur të ngjitet në elitën e futbollit shqiptar. Edhe kur e bënë, në edicionin 2021-2022, sërish zbritën një kategori më poshtë, duke i bërë 10 vite të tilla në kategorinë e parë. Në fund të edicionit të shkur arritën të ringjiten dhe në këtë edicion të ri, 2023-2024, do të luajnë në elitën e futbollit shqiptar në Superiore.
Dhe në pritje të rifillimit të tij zbulohet një projekt tjetër shumë ambicioz, deri në kufinjtë e të pabesueshmes. Klubi do të ketë një riformatim në mënyrën e drejtimit me disa biznesmenë nga qyteti i Durrësit dhe me sponsor kryesor “Durrës Yachts & Marina” dhe ajo që duket edhe më e çuditshme është fakti që nga klubi i kryeqytetit, tashmë nën emrin e ri Dinamo City do të kalojë në qytetin e Durrësit, ku projekti i ri, si detyrim kontraktor, sipas Kryeministrit të vendit, duhet të plotësojnë disa nevoja sociale për qytetin e Durrësit, ku përfshihen edhe projekte sportive.
Së fundmi, flitet se klubit të ri Dinamo do t’i vihet në dispozicion një sipërfaqe prej 70.000 metrash për të ndërtuar qendrën e saj sportive, ku përfshihen fushat, ndërtimi i qendrës së skuadrës, hotelit dhe akademisë së saj, ku do të përfshihet edhe marrëveshja me Manchester City-n, për një akademi fëmijësh.
Kjo do të jetë hera e dytë që ndryshon emri i klubit, nëse mund të quhet ndryshim ky i këtij projekti. Në vitin 1995 me ndryshimin e regjimit politik në vend, nën moton e “zhdukjes” të çdo gjurme të regjimit diktatorial komunist në vend, u prek edhe klubi i ish-Ministrisë së Brendshme. “Olimpik” do të quhej Dinamo për dy vite, si shenjë e largimit të një emri që ekzistonte vetëm në vendet lindore komuniste apo ish-komuniste.
Por këtë herë Dinamo, blutë e kryeqytetit, me sa duket do ta humbasin edhe këtë status, pasi është menduar të jetë Dinamo e Durrësit, si për të thënë që do të largohet nga derbet më të mëdha të futbollit shqiptar me Tiranën dhe Partizanin, për t’u zëvendësuar me Teutën, si derbin e qytetit të Durrësit. Tashmë mund të thuhet se më në fund të vetëquajturit “nëndetësja” e futbollit shqiptar, gjeti vendin e saj, ankorimin në det, atë Adriatik të qytetit të Durrësit.
Dinamo nis një epokë të re me rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. 18 herë kampionët e vendit kanë filluar nga puna për sezonin e ri dhe vijnë me ndryshime rrënjësore si në nivelin e drejtimit, edhe në atë të organizimit.
Klubi ka marrë vendimin drastik për të ndryshuar thuajse gjithçka. ‘Supersport’ raporton se Dinamo do të ndryshojë emrin, logon dhe mënyrën e menaxhimit të skuadrës. Dinamo City do të jetë emri i ri i bluve, ndërsa ndryshime do të pësojë edhe uniforma e ekipit. Në vendin ku shkruhet sponsori kryesor, do të jetë ‘Durrës Yachts & Marina’, kjo pasi iniciatorët që kanë ndërmarë këtë projekt janë po ata që kanë marrë përsipër projektin e qytetit të Durrësit.
Pas këtyre ndryshimeve, Ardian Bardhi nuk do të jetë më investitori i vetëm i bluve, por do t’i bashkohen edhe biznesmenë të tjerë. Bardhi pati një takim me kryeministrin Edi Rama, i cili i ka dhënë mbështetjen e tij për këtë projekt.
Ajo çka e bën edhe më interesante gjithë këtë iniciativë është se Dinamo nuk do të jetë më ekip i qytetit të Tiranës, por do të zhvendoset në Durrës aty ku do t’i dhurohen 70 mijë metra tokë nga qeveria në të cilën do të ndërtohet qendra stërvitore.