Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Inteligjenca artificiale dhe kompanitë e medias negociojnë marrëveshje historike mbi përmbajtjen e lajmeve

Kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë janë në bisedime me mediat kryesore për të arritur marrëveshje historike mbi përdorimin e përmbajtjes së lajmeve për të trajnuar teknologjinë e inteligjencës artificiale.

OpenAI, Google, Microsoft dhe Adobe janë takuar me drejtues të mediave muajt e fundit për të diskutuar çështjet e të drejtave të autorit rreth produkteve të tyre, si chatbot-et dhe gjeneruesit e imazheve.

Burime për Financial Times kanë treguar se botuesit duke përfshirë News Corp, Axel Springer, The New York Times dhe The Guardian kanë qenë në diskutime me të paktën një nga kompanitë e teknologjisë.

Po ashtu kanë treguar se marrëveshjet mund të përfshijnë që organizatat e mediave të paguhen me një tarifë të stilit të abonimit për përmbajtjen e tyre në mënyrë që të zhvillojnë teknologjinë që mbështet chatbot-et si ChatGPT i OpenAI dhe Bard i Google.

Sakaq, bisedimet vijnë pasi grupet mediatike shprehin shqetësimin për kërcënimin ndaj industrisë që vjen nga inteligjenca artificiale, si dhe frikën mbi përdorimin e përmbajtjes së tyre nga OpenAI dhe Google pa marrëveshje.

Disa kompani si Stability AI dhe OpenAI po përballen me veprime ligjore nga artistë, agjenci fotografish dhe kodues, të cilët pretendojnë shkelje kontraktuale dhe të së drejtës së autorit.

Një marrëveshje do të vendoste planin për organizatat e lajmeve në marrëdhëniet e tyre me kompanitë gjeneruese të inteligjencës artificiale në mbarë botën.

Drejtuesit e industrisë së medias duan të shmangin gabimet e epokës së hershme të internetit, kur shumë ofruan artikuj në internet falas që në fund minuan modelet e tyre të biznesit.

Grupet e mëdha të teknologjisë si Google dhe Facebook më pas iu qasen atij informacioni për të ndihmuar në ndërtimin e bizneseve të reklamimit në internet me shumë miliarda dollarë.

Teksa popullariteti i inteligjencës artificiale gjeneruese është rritur, po ashtu janë rritur edhe shqetësimet e industrisë së lajmeve, duke pasur parasysh aftësinë e teknologjisë për të prodhuar pjesë bindëse të teksteve njerëzore.

Disa diskutime aktualisht përfshijnë përpjekjen për të gjetur një model çmimi për përmbajtjen e lajmeve të përdorura si të dhëna trajnimi për modelet e inteligjencës artificiale. Një numër që ishte diskutuar nga botuesit është 5-20 milionë dollarë në vit.

Ndërkaq, Google-i ka udhëhequr negociatat me mediat në Mbretërinë e Bashkuar.

Kompania në pronësi të Alphabet-it ka partneritete të gjata me shumë organizata mediatike për të përdorur të dhëna nga përmbajtja, si artikuj, për t’u siguruar që ajo është e optimizuar për t’u shfaqur në motorin e saj të kërkimit.

Kompania ka përdorur të dhënat për të trajnuar modelet e saj të mëdha gjuhësore.

Kompania e kërkimit ka treguar se po zhvillon “biseda të vazhdueshme” me mediat e lajmeve, të mëdha dhe të vogla, në SHBA, MB dhe Evropë.

Dhe se tashmë kishte trajnuar inteligjencën artificiale mbi “informacionet e disponueshme publikisht”.

Gjigandi i Silicon Valley ka shtuar një opsion tjetër që po shqyrtonte se si t’u jepte botuesve më shumë zgjedhje dhe kontroll nëse përmbajtja e tyre bëhet pjesë e një grupi të dhënash trajnimi për inteligjencën artificiale.

Zhvillimi i një modeli financiar për përdorimin e përmbajtjes së lajmeve për të trajnuar inteligjencën artificiale do të jetë jashtëzakonisht i vështirë, sipas drejtuesve të botimeve.

Drejtuesit e lartë në një botues të madh amerikan kanë thënë se industria e lajmeve po punon në mënyrë retroaktive sepse kompanitë e teknologjisë i kanë nxjerrë këto produkte pa u konsultuar me ta.

Analistja e medias Claire Enders ka thënë se bisedimet janë “shumë të komplikuara për momentin”.

Ajo ka shtuar se, duke qenë se çdo organizatë ka qasjen e saj, një marrëveshje e vetme tregtare për grupet e medias nuk ka gjasa dhe mund të jetë kundërproduktive.

Kurse kompanitë e teknologjisë që ndërtojnë sisteme të inteligjencës artificiale janë të prirura të përqendrohen në dobinë e saj në drejtimin e efikasitetit brenda redaksive dhe përmirësimin e gazetarisë dhe janë të lumtur të paguajnë miliona për të ruajtur marrëdhëniet e gjata me industrinë, sipas burimeve.

LAJME TË TJERA >>