Ish-Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë Serbi, Richard Grenell, ka paraqitur disa pika që sipas tij duhet të ndiqen për de-eskalimin e situatës në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje.
Fillimisht ai tha se “në Kosovë duhet të mbizotërojë logjika”, që sipas tij kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “duhet të ndryshojë kurs”.
“Kryetarët e rinj të punojnë nga lokacione alternative dhe zgjedhjet e reja të zhvillohen menjëherë me pjesëmarrje të plotë. Policia speciale duhet të tërhiqet sepse ishte një veprim i njëanshëm i kryeministrit Kurti”, renditi pikat e tij Grenell në Twitter.
Dhe pas këtyre, ai theksoi se “protestuesit mund të largohen nga rrugët”.
“Të dyja palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Kushdo që ka sulmuar KFOR-in, policinë e Kosovës apo protestuesit serbë duhet të përgjigjet”, vazhdoi të tregoi hapat e tjerë.
Ndërkaq, ai potencoi se “Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin negociatat në vazhdim”.
Ndryshe, në Veri të Kosovës kanë filluar tensionet që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e zgjedhur të katër komunave Veriore për tu futur në zyrat e tyre, çka edhe shkaktoi reagim të ndërkombëtarëve të cilët fajësuan Qeverinë e Kosovës për tërë situatën e krijuar.
Serbët lokalë e kundërshtuan këtë dhe të njëjtit ishin mjaft të ashpër në kundërshtimet e tyre, duke sulmuar policinë.
Situata më e tensionuar ishte me 29 maj, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, ku mbetën të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.
Situata agravoi edhe më tej kur xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës.
Ndërsa, nga vendet Perëndimore është prezantuar një plan me disa pika për depërshkallëzimin e situatës, dhe po ashtu është kërkuar që të bëhet lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte i tre policëve të kidnapuar nga Serbia.