Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën prestigjioze amerikane, Bloomberg, e ka cilësuar si “jo të drejtë” përjashtimin e Kosovës nga stërvitja ushtarake ndërkombëtare i udhëhequr nga NATO “Defender Europe 23”, si pasojë e parë për Qeverinë e Kosovës pas vendimit për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në katër komunat veriore nën asistencën e Policisë së Kosovës.
“Nuk është në rregull të bullizohet Kosova. Sa herë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë diçka nga ne, ne nuk pyesim pse, por vetëm kur dhe si”, ka thënë Kurti kur u pyet për presionin që komuniteti ndërkombëtar po ushtron mbi Kosovën për situatën në Veri të Kosovës.
Pjesa kryesore e bashkësisë ndërkombëtare, nga Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri te qëndrimi i përbashkët i vendeve të QUINT-it, e cilësuan këtë veprim si vendosje e masave të dhunshme në Kosovë.
DASH-i dënoi atë çfarë ndodhi në Veri duke vënë në pikëpyetje edhe marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe SHBA-së. Reagim pothuajse të njëjtë patën edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it të cilët bënë thirrje autoriteteve të Kosovës që në mënyrë imediate të tërhiqen dhe ta de-përshkallëzojnë situatën në Veri.
Ndërsa në anën tjetër i deleguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim me gazetarët kosovarë, tregoi për ngërçin që aktualisht ekziston me Kurtin. Top-diplomati amerikan madje kishte dhënë afat që Kurti të ndryshojë kursin e të mos jetë bllokues i procesit.
Megjithatë Kurti, në Bloomberg, thotë se nuk do të tërhiqet nga vendimi i tij, pavarësisht presionit në rritje nga SHBA-ja dhe BE-ja.
“Serbia duhet të ndërpresë mbështetjen për milicinë që shkaktoi protesta në Veri të Kosovës dhe përgjegjësit duhet të ndiqen penalisht përpara se qeveria ime të shqyrtojë lehtësimin e qëndrimit”, ka potencuar ai në një bisedë telefonike me Bloomberg.
“Ne nuk mund t’i nënshtrohemi si një republikë demokratike kësaj milicie të dhunshme. Ne duam që gjërat të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, por ju e dini se kjo nuk varet vetëm nga ne”, ka shtuar ai.