Të shtunën e 27 majit, mijëra persona protestuan në qendër të Beogradit nën sloganin “Serbia kundër dhunës”.
Kjo protestë është thirrur nga opozita dhe është e katërta e këtij lloji që organizohet në Serbi, për të kundërshtuar përgjigjen e Qeverisë serbe pas dy sulmeve që kishin ndodhur në maj, kur u vranë 18 persona.
Në mënyrë që protestuesit të mund të vazhdonin marshimin e tyre drejt ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë, rrethojat mbrojtëse të vendosura jashtë ndërtesës së Kuvendit serb u lëvizën.
Arsyeja përse protestuesit vazhduan drejt kësaj ndërtese është që ky televizion të raportonte për këtë protestë.
Se protesta ka qenë e përmasave të mëdha është bërë e ditur edhe në rrjetin social ‘Twitter’ nga videot e publikuar nga qytetarët.
Protestuesit paraqiten një sërë kërkesash, përfshirë edhe shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bratisllav Gashiç dhe drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin.
Kërkesë tjetër ishte që të ndryshohet edhe trupi rregullator për mediat elektronike, mbylljen e tabloideve që propagandojnë dhunë dhe shkelin rregullat, si dhe marrjen e frekuencave kombëtare të televizioneve Pink dhe Happy.
Pas dy të shtënave masive, autoritetet në Beograd njoftuan për konfiskimin e armëve nga qytetarët dhe për rritjen e sigurisë rreth shkollave, raporton Radio Evropa e Lirë.
Po ashtu, ministri i Arsimit në Serbi, Branko Ruzhniç kishte dhënë dorëheqje pas të shtënave në një shkollë fillore në Beograd.
Ndërkaq, me kërkesë të opozitës, Kuvendi serb ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme ku është diskutuar për situatën e sigurisë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka kritikuar mbajtjen e protestave, pasi ka thënë se përmes tyre po politizohet tragjedia.
Megjithatë, ai është shprehur i hapur për dialog me opozitën por ka refuzuar që të shkarkojë zyrtarët që protestuesit po kërkojnë që të largohen nga pozitat e tyre.
Më 3 maj, një 13-vjeçar vrau tetë nxënës dhe rojën e një shkolle në Beograd, si dhe plagosi gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues.
Disa ditë më vonë, edhe një nxënëse vdiq nga plagët e marra.
Një ditë më pas, më 4 maj, një 21-vjeçar hapi zjarr në disa fshatra afër Beogradit, duke vrarë tetë persona dhe plagosur 14 të tjerë. Më pas ai është arrestuar.