Java e festivalit më të madh muzikor në kontinentin e vjetër, Eurovision Song Contest, ka nisur zyrtarisht në Liverpool, ku 37 vendet pjesëmarrëse do të garojnë për të zgjedhur himnin e këtij viti, në rrymat bashkëkohore.
Me një të dielë të tapetit aspak tradicional “Turquoise”, të zgjedhur për këtë vit, artistët kanë parakaluar dhe pozuar për ndjekësit e tyre, duke dhënë edhe intervista të çastit.
Këngëtarja shqiptare, e cila do të përfaqësojë flamurin kuqezi në këtë ngjarje, Albina Kelmendi, së bashku me familjen e saj, kanë mbërritur po ashtu, të veshur në një stil tejet elegant, me zonjat të stiluara me fustane mbrëmjesh dhe meshkujt me kostume ku pati elementë të motiveve shqiptare.
Teksa, dy këngëtarët më favoritë aktualisht, sipas edhe sondazheve të shumta, vijnë nga vendet skandinave.
E para, artistja suedeze Loreen, e cila 11 vjet pas korrjes së fitores së saj të madhe në Eurovision 2012, rikthehet në skenë me këngën Tattoo, për të kërkuar triumfin e radhës.
Nga ana tjetër, artisti finlandez Kaarija vjen me këngën Cha Cha Cha, si një miksim i rrymave rap me atë elektronike, për të provuar të çojë në vendin nordik trofeun e mikrofonit të kristaltë.
Të tjerë artistë me aspirata të larta këtë Eurovision janë edhe italiani Marco Mengoni, fitues i Sanremo me këngën Due Vite, spanjollja Blanca Paloma me këngën e saj folk Eaea, francezja La Zarra me një baladë të titulluar Evidemment dhe sigurisht vendasja britanike Mae Muller, me këngën e saj I Wrote a Song.
Pavarësisht fitores së vjetshme të ukrainasve Kalush Orchestra, takimi i këtij viti do të jetë në Liverpool, duke parë edhe situatën e vështirë ende në Ukrainë, për shkak të luftës së shkaktuar nga Rusia.
Tre netë do të jenë në tërësi, me dy gjysmëfinalet e para, ku do të vendosen shtetet finaliste dhe me natën e madhe të shtunën e 13 majit.