Prej disa kohësh fu tbolli shqiptar lu het në katër nivele, duke nisur nga “Abisnet Superiore”, Kategoria e Parë, Kategoria e Dytë dhe deri te Kategoria e Tretë. Kjo ka zgjeruar në një farë mënyre edhe hartën e qyteteve që mundohen të përfaqësohen me një klub futbolli.
Janë 59 skuadra, të cilat përfaqësojnë zona të ndryshme të vendit nga Veriu në Jug. Bëhet fjalë për 10 ekipe që militojnë në Superiore, 14 në Kategorinë e Parë, 23 në të Dytën dhe 12 në të Tretën. Megjithatë, përpos kësaj shtrirjeje të gjerë, jo të gjitha bashkitë përfaqësohen me një ekip futbolli, në një kohë kur edhe shumë skuadra të traditës lëngojnë në pozita të vështira.
QARKU TIRANË
Ashtu siç pritet, Tirana është Qarku me më shumë skuadra që ka një skuadër futbolli, me plot nëntë të tilla. Bien në sy se tri prej tyre janë pjesë e Superiores me Tiranën, Partizanin dhe Egnatian. Po kaq ekipe militojnë edhe në Kategorinë e Parë, me Dinamon, Besën dhe Luzin 2008. Kryeqyteti vijon të përfaqësohet edhe me një skuadër në Kategorinë e Dytë, pikërisht Vorën, ndërsa nuk mungojnë as klubet e së Tretës, Spartaku Tiranë dhe Kinostudio. Ndërkohë, në këtë listë duhet të ishte edhe Kamza, e cila u “zhduk” nga harta pak vite më parë.
QARKU DURRËS
Duket se edhe Qarku i Durrësit matet “kokë më kokë” me atë të Tiranës sa u përket skuadrave që marrin pjesë në elitën e futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për tri ekipe në Superiore si Teuta, Erzeni dhe Kastrioti. Në të Parën, nuk kanë asnjë përfaqësues, por ndryshe ndodh me dy kategoritë më inferiore, teksa Iliria merr pjesë në të Dytën, ndërsa skuadra më e re është Adriatiku që e nis nga e Treta.
QARKU SHKODËR
Ky qark e ka lidhur ngushtësisht futbollin me Vllazninë, klubin më të vjetër të futbollit shqiptar, e cila militon në Kategorinë Superiore. Nuk ka asnjë ekip që të luajë në Kategorinë e Parë, ndërsa plot katër klube janë pjesë e së Dytës. Bëhet fjalë për Veleçikun, Tërbunin, Adën dhe Murlanin. Basania & AM është skuadra e krijuar këtë vit, që e nis rrugëtimin nga niveli më i ulët i futbollit shqiptar (Kategoria III).
QARKU ELBASAN
Prej vitesh një qark që nuk ka asnjë përfaqësues në elitën e futbollit shqiptar, duke humbur disi traditën. Edhe në të Parën ka vetëm një ekip, edhe ai luan për të mbijetuar, siç është Turbina. Sakaq, përfaqësohet me plot katër skuadra në Kategorinë e Dytë, me AF Elbasanin e krijuar para një viti, ndaj të cilit ka pritshmëri të mëdha. Gjithashtu marrin pjesë edhe Shkumbini, Sopoti dhe Gramshi.
QARKU VLORË
Flamurtari i famshëm prej disa sezonesh nuk është pjesë e Superiores, por këtë sezon militon në të Parën, me synimin të rikthehet aty ku i takon. Në këtë kategori merr pjesë edhe Oriku. Sakaq, Qarku i Vlorës ka tri skuadra që militojnë në Kategorinë e Dytë, siç është rasti i Labërisë që ka pak sezone që është krijuar, apo edhe i Butrintit me Delvinën që konsiderohen si ekipe tradicionale për këtë nivel.
QARKU FIER
Bylisi është për momentin skuadra që po mban lart “flamurin” e Qarkut të Fierit, me prezencën e tij në Superiore. Në Kategorinë e Parë ka dy klube të traditës siç janë Apolonia dhe Lushnja, por që për momentin nuk po kalojnë një formë të mirë. Ky qark ka përfaqësuesit e vet edhe në dy nivelet e fundit të futbollit shqiptar, siç është Albpetroli në Kategorinë e Dytë apo edhe debutuesit e Çermës në të Tretën.
QARKU KORÇË
Në Qarkun e Korçës janë pesë ekipe që marrin pjesë në kampionatet e futbollit shqiptar, por mungon përfaqësimi në elitë, me Skënderbeun që militon në Kategorinë e Parë. Nga ana tjetër, ka tri klube që janë pjesë e së Dytës, si Pogradeci, Devolli dhe Maliqi. Së fundmi, nuk mungon edhe një skuadër në të Tretën, Gramozi, i cili dikur ka qenë edhe pjesë e elitës së futbollit shqiptar.
QARKU BERAT
Pa asnjë skuadër në Superligë, edhe pse ekipet e traditës nuk i mungojnë. Qarku i Beratit ka vetëm një klub që merr pjesë në Kategorinë e Parë, siç është rasti i Tomorit. Ndërkohë, një ekip është një kategori më poshtë dhe bëhet fjalë për Naftëtarin në të Dytën. Një kategori më inferiore ka zbritur Skrapari, një klub që këtë sezon është bërë pjesë e Kategorisë së Tretë.
QARKU GJIROKASTËR
Bëhet fjalë për një qark që në dy nivelet e para nuk ka asnjë përfaqësues, që pas shkrirjes së Luftëtarit të Gjirokastrës. Tani, është ekipi i ri i qytetit, AF Luftëtari, që i prin në të Dytën, aty ku janë edhe dy skuadra që vazhdimisht kanë qenë në këto nivele, si Tepelena dhe Memaliaj. Qarku i Gjirokastrës përfaqësohet edhe në Kategorinë e Tretë po me dy skuadra, si Përmetin dhe Këlcyrën.
QARKU LEZHË
Një qark që nuk mungon tradita në futboll, por renditet ndër zonat që ka më pak skuadra futbolli. Bëhet fjalë vetëm për tri të tilla. Është Laçi që prej shumë vitesh është pjesë e Kategorisë Superiore, ndërsa më poshtë në të Parën nuk mungon skuadra e Besëlidhjes, e cila nuk po kalon një periudhë të mirë. Në të Dytën, ky qark përfaqësohet nga Shënkolli, që ka qenë edhe në të Parën pak vite më parë.
QARKU DIBËR
Janë plot pesë skuadra të regjistruara që janë pjesë e këtij Qarku, edhe pse mungojnë nivelet e larta. Dy prej tyre, Korabi dhe Burreli bëjnë pjesë në Kategorinë e Parë këtë sezon. Bulqiza merr pjesë në të Dytën, ndërsa janë plot tri skuadra që përfaqësohen në Kategorinë e Tretë. Bëhet fjalë për Klosin, Drinin dhe Minatorin e Bulqizës, të cilat kërkojnë të ngjisin nivelet dhe nuk mungojnë investimet.
QARKU KUKËS
Qarku me më pak banorë në vend, rrjedhimisht ka edhe më pak skuadra që i përfaqëson në futbollin shqiptar. Ekipi më i suksesshëm është pa dyshim Kukësi, skuadër e elitës, e cila madje në të kaluarën ka fituar edhe titullin kampion, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën. Ekipi tjetër është Valbona e Tropojës, që merr pjesë në Kategorinë e Dytë dhe këtë sezon shpreson të ngjitet një shkallë më lart.