Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

30 vjet pas shpërbërjes së Çekosllovakisë

Në mesnatën e 31 dhjetorit të vitit 1992, shteti i atëhershëm 74-vjeçar i Çekosllovakisë, i themeluar nga rrënojat e Luftës së Parë Botërore, u shpërbë për t’u zëvendësuar nga republikat e pavarura çeke dhe sllovake. Tani, 30 vjet më vonë, ish-kryeministri çek Vaclav Klaus, i cili ndihmoi në negocimin e ndarjes, reflekton mbi shpërbërjen e vendit dhe mësimet e nxjerra.

Ndarja e Çekosllovakisë në dy shtete, atë të Çekisë dhe Sllovakisë është një nga të paktat raste në histori që u realizua pa gjakderdhje. Kjo sipas ish kryeministrit çek Vaclav Klaus erdhi si rezultat i një procesi të menduar mirë.

“Detyra ime ishte të realizoja ndarjen, të cilën në atë moment e konsideroja të pashmangshme. Ndarja ishte miqësore, paqësore dhe e drejtë. Së bashku me kryeministrin sllovak, (Vladimir) Meciar, arritëm të përmbushim detyrën”, thotë ish kryeministri Klaus.

Shpërbërja e Çekosllovakisë, e quajtur shpesh edhe “Divorci i Paqtë” nuk u bë përmes votës popullore sepse dy politikanët, Klaus dhe Meciar, të cilët negociuan ndarjen, nuk pranuan të zhvillonin një referendum për këtë çështje. Disa banorë të Pragës janë ende të pakënaqur me atë vendim.

“Mendoj se shumica e sondazheve të opinionit publik në atë kohë nuk ishin në favor të ndarjes, por zoti Meciar dhe zoti Klaus, për arsyet e tyre, mendonin të kundërtën,” thotë ish-diplomati amerikan, Cameron Munter.

Por ndërsa çekët ishin të lumtur që ishin pjesë e Çekosllovakisë, shumë sllovakë ndiheshin si qytetarë të dorës së dytë, kujton zoti Klaus.

“Sllovakët i shihnin çekët si vëllain e madh, vëllain më të moshuar dhe ndjeheshin si qytetarë të dorës së dytë”, thotë zoti Klaus.

Duke reflektuar për mësimet e nxjerra nga ajo shpërbërje, ish presidenti çek thekson rëndësinë që kanë negociatat, duke e ndarë këtë përvojë me vendet si Kosova apo Ukraina.

“Unë do t’i thoja Kosovës dhe vendeve të tjera, edhe Ukrainës, mësimi që kam marrë dhe përvoja ime më thonë se duhet të negociosh. Duhet të negociosh sa më gjatë. Kjo është mënyra e vetme për të shmangur luftën, ose një situatë dramatike në një vend”.

Tre dekada më vonë, Çekia dhe Sllovakia – të dyja anëtare të BE-së që nga viti 2004 – gëzojnë lidhje të ngushta ekonomike, politike dhe kulturore. Sondazhet tregojnë se çekët dhe sllovakët e shohin njëri-tjetrin si aleatët më të ngushtë. Divorci i tyre i shpejtë – kushtet e të cilit u shkruan në kopshtin e një vile – i takon së kaluarës.

LAJME TË TJERA >>