Mendrit Shehu – Festimet për Vitin e Ri kanë ndryshuar shumë gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri, si sa i përket rëndësisë, ashtu edhe për mënyrën se si festohej kjo ditë. Viti i Ri ishte një nga festat tradicionale që festohej në Shqipërinë e para vitit 1990. Ishte koha kur nuk kishte celular, rrjete sociale, për të uruar njëri- tjetrin. “Mjeti” më i përdorur ishte kartolina.
Deri pak pas viteve “90 ende përdoreshin kartolinat; ku shkëmbeheshin mes miqsh urimet më të bukura për këtë festë, traditë kjo tashmë në zhdukje. Sot, urimet mes miqve dhe personave të dashur, nuk bëhen më mes fjalëve, por nga mesazhe virtuale të rrjeteve sociale e telefona celularë. Në Arkivin e shtetit edhe atë personal të koleksionistëve ruhen mijëra kartolina për Vitin e Ri. Cilat janë kartolinat më interesante dhe jo standarde?
Më poshtë është një këngë kolendrash në dialektin arvanit, e botuar për herë të parë në revistën “Besa”, organ i Lidhjes Arvanite të Greqisë 1982-2004. Tabloja ilustruese titullohet ‘Kolendra”(1872) dhe i përket autorit me origjinë arvanite Niqiforu Lutro, një piktori të shkollës së Mynihut në pikturën greke të shekullit të XIX. Kolendrat janë këngë popullore urimi që këndohen nga fëmijët e vegjël në ditët e pritjes së festave të mëdha fetare si Krishtlindjet apo dhe para Vitit të Ri. Ata shkojnë shtëpi më shtëpi duke uruar shëndet dhe mbarësi. Kolendarët që shkonin në grup, gostiten nga të zotët e shtëpisë me ëmbëlsira, fiq të thatë, arra, portokalle etj.
Viti i Ri
Nji djalopul
ndë derë rri
Jo bre ti
Isht viti i ri.
Hapeni derën
Të hinj,
me plot duart
të na vinj
Çi na sole
Viti i ri?
Shumë shëndet
e dashuri,
Po su sola
Edhe para
Edhe ça
rroba të ra.
Edhe mot
edhe mot
edhe mot
Me duart plot.
Gjuha shqipe ka evoluar shumë me kohën, ndërsa para Kongresit të Manastirit ka pasur shumë shkronja të huazuara. Shumë gërma kanë ngjashmëri me ato greke, për aq kohë sa shqipja nuk kishte ende një alfabet të vetin në unifikuar. Janë dy urime shumë të veçanta, që përfaqësojnë dy periudha të ndryshme.
Moti i ri 1901:
Motin e ri për shume vjet,
Ne e presim me gëzime,
Të mira shumë sjellt sivjet,
Qoftë me shumë fitime.
Me shëndet e jet të gjatë,
Gjith bijtë e Shqipërisë,
Sjellt bereqet e drithë,
Dhe shkolla te diturisë,
Shkolla me gjuhën tonë,
Të mbushet tërë Shqipëria,
Zot i madh siç e ka thënë,
Në gjithë librat e tija.
Vigjilja e Vitit të Ri ishte një prej festave më të mëdha popullore gjatë komunizmit, kryesisht për shkak se Shqipëria, nën sundimin e Enver Hoxhës, ndaloi çdo festë fetare. Regjimi totalitar, e çrrënjosi nga tregu dhe nga vetëdija e rinisë ateiste idenë për Plakun e Krishtlindjes dhe e zëvendëson me Babagjyshin e Vitit të Ri. Që prej ringjalljes së festimeve për Krishtlindje, festa e Vitit të Ri ka humbur disi shkëlqimin e dikurshëm.
Pas ardhjes së komunizmit kartolinat u bënë standarde, ku shihej “Shqipëria socialiste”, gra dhe vajza “të lumtura” apo imazhe të partisë në pushtet e të udhëheqësit të kohës. Përpos vështirësive të kohës e veçanta qëndronte te veprimtaria krijuese në prag të Vitit të Ri, që shpenzohej duke sfiduar rrethanat e vështira financiare.
Një tjetër kartolinë e veçantë është ajo e 1973, ku një baba i uronte festat djalit të vet. Ajo që bie në sy është pamja e kartolinës, ku duket një nga personazhet e famshme të filmave për fëmijë si Jerry. Ai shfaqet duke tërhequr një karrocë ku është ngarkuar pema e vitit të ri dhe poshtë tyre urimi tradicional “Gëzuar vitin e ri”. Në pjesën e pasme të kartolinës, lexohet N.SH.BOTIME NAIM FRASHËRI TIRANË. Pra, për fëmijët duket se regjimi bënte një përjashtim, edhe pse çdo gjë amerikane konsiderohej “e mallkuar”.
E veçanta e 31 dhjetorit ishte ndeshja e futbollit që zhvillohej në fushën e Pallatit të Pionierëve të tejmbushur nga njerëzit. U kthye në një traditë tërheqëse, në të cilën luanin edhe futbollistët më të njohur, të tre klubeve të kryeqytetit.
Madje, takimi ndiqej edhe nga jashtë rrethimit përtej Lanës, pasi nuk kishte hapësirë për të qenë brenda territorit të vogël. Gjatë ditës së 31 dhjetorit, qyteti gumëzhinte dhe dyqanet kishin aktivitet deri në çastin e fundit dhe njerëzit që vraponin për të marrë gjërat që i mungonin.
Në ditët e sotme është krejt normale që kompanitë të bëjnë oferta me rastin e fundvitit. Por diçka e tillë ishte e paimagjinueshme në vitin 1997. Viti 1993 do të sillte lulëzimin e të ashtuquajturave Firma Piramidale që e gjetën popullin shqiptar të papërgatitur ekonomikisht dhe bosat e fajdeve filluan menjëherë aktivitetin piramidal të tyre duke grumbulluar pothuajse tërë paratë e shqiptarëve dhe në këmbim të tyre ata premtuan shumëfishim të këtyre parave, sigurisht që shqiptarët kërkonin pak shpresë dhe një dritë në fund të tunelit u mashtruan nga këto grupe të pastra kriminale që përveçse pastronin para dhe vidhnin shqiptarët nuk bënë asgjë tjetër.
Mrekullia e kapitalizmit modern duket se dha këmbanat e para të shembjes në vitin 1996, këmbana këto që tregonin për një mashtrim të madh ekonomik që edhe politika e kishte të vështirë ta pranonte dështimin e kësaj “mrekullie”.
Kartolina e parë shqiptare
Kartolina e parë shqiptare ka dalë për herë të parë në vitin 1913. Ishte një pikturë e cila më pas u shndërrua në kartolinë. Ishte momenti kur Ismail Qemali lajmëron për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe më pas ngre Flamurin e Skënderbeut, nga ballkoni i shtëpisë së Flamurit, në Vlorë. Autori i kësaj pikture ka mbetur anonim, por ajo kartolinë është punimi i parë dhe i vetëm që tregon momentin e ngritjes së Flamurit në 28 Nëntor të vitit 1912.
Sipas studiuesit, Fahri Shaska, që e ka bërë publike këtë kartolinë, për herë të parë, kartolina është prodhuar vetëm një vit pas shpalljes së pavarësisë. Momenti i ngritjes së Flamuri Kuq e Zi, mbulon një pjesë të ballkonit ndërsa element i dytë i kësaj kartoline është edhe Ismail Qemali.