Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, mund të përballet me dy akuza kriminale të drejtpërdrejta, lidhur me ngjarjet e 6 janarit 2021, të ndodhura në Capitol Hill, ku një protestë e mbledhur nga ai kundrejt rivalit politik, Joe Bide, asokohe i sapo shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale, përfundoi me vdekjen e pesë personave, pas mësymjes së godinës simbol të demokracisë amerikane.
Këtë gjë pritet që Komiteti i Posaçëm i 6 janarit t’ia kërkojë Departamentit të Drejtësisë për Trump-in, sipas disa burimeve shumë të besueshme të medias amerikane CNN.
Trump vetë, është thirrur të dëshmojë në këtë proces, por ende nuk ka dhënë asnjë dëshmi lidhur me çështjen.
Dëshmitarë të tjerë të shumtë, përfshi bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-presidentit, apo punonjës në Shtëpinë e Bardhë, përmes dëshmive të tyre, kanë rrëfyer më parë qëllimësinë e Trump për të ndaluar konstituimin e Biden si President, në procesin që e kryen Kongresi dhe Senati formalisht, pas rezultatit zgjedhor.
Trump vetë, ka mohuar çdo rrethanë të tillë, duke pretenduar se turma nuk ka qenë në asnjë çast e inkurajuar nga ai për të vepruar në të tillë mënyrë.
Por, sërish, Komiteti, në bazë të gjithë provave të administruara, ka gjasë të besojë versionin e dëshmitarëve kundër Trump-it.
Akuzat specifike nuk janë bërë me dije nga burimi i CNN, por nëse ato vërtetohen dhe ndiqen realisht penalisht, mund t’i kushtojnë politikani dhe biznesmenit jo vetëm burgun, por edhe kandidaturën e shpallur për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të vitit 2024.
Trump, në nëntor, pas një disfate republikane në zgjedhjet e mesmandatit, përkundër nga sa pritej një fitore e thellë e tyre, shpalli zyrtarisht faktin se do të merrte pjesë në garën e primareve republikane për të qenë kandidat presidencial.
Kjo lëvizje u kritikua tej mase edhe brenda republikanëve vetë, me të shumtë që e duan krejtësisht jashtë partisë Trumpin dhe e akuzojnë atë drejtpërdrejt për rezultatet jo të mira që ata kanë arritur në zgjedhjet e fundit.