Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

”Striscia la Berisha”: kur TV italian parodizonte shqiptarët

Mendrit Shehu- “Striscia la notizia” është një ndër emisionet më të ndjekur të kanaleve Mediaset. E ndërtuar si një emision lajmesh satirik, ai mbledh çdo ditë rreth televizorit miliona shikues. Në 34 vitet e transmetimit, i ka sjellë jo pak kokëçarje politikanëve, modeleve, personazheve të televizionit, duke vënë në lojë dobësitë, gabimet, manipulimet. Që në emisionet e para scoop-et ngjallën polemika, nisin denoncimet. Pippo Baudo i hedh në gjyq për shpalljen e fituesve të festivalit të Sanremos para se ky të përfundonte, ish- ministri Biondi gjithashtu kur Striscia regjistron e transmeton një bisedë të tijën me zëdhënësin e Forza Italia-s duke thurur prapaskena politike. Striscia është e famshme edhe falë personazhit që ka krijuar, Gabibbo, një kukull gjigande që bridhte nëpër tërë Italinë dhe i jepte zë ankesave të njerëzve mbi institucionet.

Në fillim të vitit 1997, kur efektet e asaj që po ndodhte në Shqipëri filluan të ndjehen edhe në Itali, Striscia paraqiti për herë të parë një skeç ku dy personazhe rreckamanë, të parruar e vulgarë, paraqesin një emision lajmesh. Të interpretuar nga drejtuesit e emisionit Gnocchi dhe Solenghi, ata janë dy shqiptarë në Radiotelevizionin Shqiptar, emisioni i lajmeve të tyre quhej ‘’Striscia la Berisha’’ (Rrëshqet Berisha), pas tyre një gomone-simbol gome e emigracionit në Itali dhe dy “velina” të emisionit zëvendësoheshin nga dy gra të vjetra kërcimtare të quajtura “valona” (Vlora) dhe në studio këndon grupi fitues i festivalit të Sanremos për vitin e kaluar Jalisse ( që ngjason me Gjallicën).

I lindur si një skeç me vete me dy drejtuesit e atëhershëm të emisionit pati një sukses te papritur. Me fillimin e Operacionit Alba dy personazhet shqiptarë u bënë një mjet i shkëlqyer për të satirizuar disa momente të veprimeve ushtarake. Rasti më i famshëm është ai pas vizitës së Prodit në Vlorë ku dy prezantuesit përsërisnin refrenin “Na sillni kukulla të tjera të qeshim pak”. Në qendër të satirës ishin gjithashtu edhe reklamat televizive ku dy shqiptarët përdornin prodhimet italiane por me emërtim  shqiptar. Në shqip çdo fjalë mbaron me “isha”. Kështu rrobat lahen me Dixisha, për pastrimin e WC përdoret Brillantisha.

‘’Striscia la Berisha’’ përbën fyerje të rëndë të qytetarëve shqiptarë duke vënë në skenë stereotipin e shqiptarit të rëndomtë si paradigme e njeriut pa vlere që mohon parimet qytetare, paraqet në mënyrë komike klishetë e rëndomta e bajate duke penguar kështu integrimin në shoqëri”. Me një akuzë të tillë, të bazuar në nenin 15 të ligjit 223/90, i cili në pikën 10 ndalon transmetimin e programeve që nxisin qëndrime intolerance për arsye race, feje apo kombësie, Gjykata e Emigrantit i kërkoi autoriteteve italiane të ndërpresë skeçin e interpretuar nga Gene Gnocchi dhe Tullio Solenghi në emisionin e Canale 5 “Striscia la Notizia”.

Brenda atij paragrafi, mbështjellë me terminologjinë “e kthjellet” juridike, lexohej një akuzë që ndoshta për herë të parë i drejtohej një emisioni televiziv: ajo për racizëm ndaj shqiptarëve. Grupi i avokatëve të Gjykatës së emigrantit, një zyrë avokatore milaneze, paraqiti denoncimin pas kërkesës së një Shoqate Kulturore Italo-Shqiptare që vepronte në Milano.

Përpos akuzave ‘’Striscia la Berisha’’ vazhdoi edhe për një sezon, duke u zhdukur nga televizionet italiane në vitin 1999. Dyshja u përpoq përsëri në vitet 2000 të vinin në lojë Zvicrën, ku protagoniste ishte një zvicerane  e panjohur për atë kohë, Michelle Hunziker.

Michelle Hunziker.

Njëzet vjet më vonë, “Striscia la Berisha” duket e  paimagjinueshme dhe me shije të keqe , por në një shoqëri ende të pa globalizuar si ajo e vitit 1997 ishte ende e mundur të talleshe me popujt e tjerë , duke marrë parasysh numrin e vogël dhe peshën politike ekzistuese të njerëzve në shënjestër.

LAJME TË TJERA >>