Ka përfunduar në barazim, 1-1, ndeshja mes Holandës dhe Ekuadorit. Një rezultat që e shtyn kualifikimin në fazën e 1/8-ve për të dyja këto skuadra: holandezëve u mjafton një barazim me Katarin e eliminuar, po ashtu edhe ekuadorianët mjafton të mos humbin në sfidën direkt me Senegalin.
I zakonshmi Gakpo kaloi Holandën në avantazh dhe i zakonshmi Valencia mbajti Ekuadorin në këmbë. Skuadra e Van Galit e pa veten na avantazh vetëm pas 6 minutash, falë një të majte precize të Gakpo. Por më pas e lëshoi lojën, duke i dhënë e mundësi ekipit amerikano-jugor të organizohet.
Pas një goli të anuluar të Estupinan për pozicion jashtë loje në fund të pjesës së parë, Ekuadori barazoi në fillim të së dytës me kapitenin Ener Valencia, shënuesi më i mirë i Botërorit aktualisht, me 3 gola.
Më afër fitores ishte Ekuadori, që goditi traversën me anë të Platas. Skuadra e trajnerit Alfaro iu imponua Holandës në pjesën e dytë dhe në radhët e saj mund të ketë ndonjë peng për këtë ndeshje. Për trajnerin Van Gal, që kishte bërë disa ndryshime sot, i vetmi lajm i mirë është rezultati dhe tani mjafton edhe barazimi ndaj Katarit në ndeshjen e tretë.
Për të synuar më shumë, ‘Tulipanët’ duhet të bëjnë kthesën në lojë, sepse në të kundërt do të ketë dhimbje. Ekuadori në anën tjetër do ta diskutojë kualifikimin në takimin me Senegalin, duke pasur dy rezultate në favor, fitoren dhe barazimin.