Ashtu siç u parashikua.
Partia e së djathtës, Fratelli d’Italia, ka arritur një rezultat historik duke u bërë partia e parë me një fitore mbi 25% në zgjedhjet e mbajtura të dielën e 25 shtatorit në Itali.
Një triumf i vërtetë për Fratelli d’Italia, pasi deri vonë ajo arrinte të merrte vetëm 4%, dhe 9 vjet më parë vetëm 1.96% të votave.
Kështu, Giorgia Meloni, po përgatitet të bëhet kryeministrja e parë grua dhe kryetarja e një partie që ka një numër të rëndësishëm mandatesh në krahasim me aleatët e tjerë të të njëjtit koalicion të qendrës së djathtë.
Meloni në orët e para të mëngjesit shpalli fitoren dhe premtoi të qeverisë për të gjithë italianët.
Tashmë ajo e ka rrugën e hapur për të krijuar Qeverinë më të djathtë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Deri në llogaritjet më të fundit Fratelli d’Italia, ka marrë 26.3%. Pjesëmarrja në votime ka rënë me 9.1%.
Partia tjetër e së djathtës, Lega ka marrë vetëm 9%, pra nën pragun prej 10%.
Kështu, nuk është rastësi që Matteo Salvini, kryetari i saj, zgjodhi të mos fliste dhe ia besoi falënderimet e tij italianëve për votat e marra në një postim lakonik në Twitter.
Një disfatë që e gjen tablonë e saj më të qartë pikërisht në atë që ishte territori i afirmimit të tij historik: në Veneto, ku guvernatori u rizgjodh me një diferencë shumë të vogël.
Gjithashtu në Lombardi, Lega është pas Partisë së Melonit.
Nga ana tjetër, Lëvizja “Cinque Stelle” u bë protagoniste e një rikthimi të madh, që ndodhi ditët e fundit para votimit.
Aq sa e bënte Giuseppe Conte të thoshte me krenari, se ishte hera e parë që ai mati veten me një fushatë elektorale.
Partia tjetër e madhe konservatore, partia Forza Italia e Silvio Berlusconit, arriti rreth 8%, duke e lënë Fratelli d’Italia partnerin dominues.
Të hënën Meloni tha se votuesit italianë i kishin dhënë një mandat të qartë të drejtës për të formuar qeverinë e ardhshme dhe bëri thirrje për unitet për të ndihmuar në përballimin e problemeve të shumta të vendit.
“Kjo është një natë krenarie për Fratelli d’Italia, por është një pikënisje, jo një vijë fundi”, tha ajo para një turme mbështetësish.