Mbreti Charles III i është drejtuar kombit për herë të parë si sovran, pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.
“Sot po ju flas me ndjenja trishtimi të thellë”, tha Mbreti, i cili shtoi se nëna e tij ishte një frymëzim dhe shembull për të dhe për të gjithë familjen e tij.
Për të, përkushtimi i të ndjerës Elizabeth nuk u lëkund kurrë.
“Përkushtimi i saj si sovrane nuk u lëkund kurrë, në kohë ndryshimi, gëzimi e trishtimi”.
Charles ravijëzoi se angazhimi i Mbretëreshës përcaktoi gjithë jetën e saj në vijim.
Ai premtoi se detyrat për t’i shërbyer popullit do të kryhen njësoj pavarësisht se kush e drejton Mbretërinë.
Po ashtu, Mbreti u zotua të mbështesë “parimet kushtetuese në zemër të kombit” siç bëri Mbretëresha.
Në fjalimin e tij drejtuar kombit nuk mungoi edhe komenti për djalinmë të vogël dhe gruan e tij.
“Unë shpreh dashurinë time për Princin Harry dhe Meghan ndërsa ata vazhdojnë të ndërtojnë jetën e tyre jashtë shtetit”, the Mbreti për ta.
Deklarata e Mbretit Charles u mbyll me një mesazh për mamanë e tij.
“Dhe mamasë sime të dashur, ndërsa nis rrugëtimin e fundit për t’u bashkuar me babain tim të ndjerë, dua t’i them thjesht këtë: faleminderit”.
Mbretëresha, monarkja më jetëgjatë e Britanisë, vdiq paqësisht në Balmoral të Skocisë të enjten në moshën 96-vjeçare.
Mbreti Charles, 73 vjeç, ka ndërmarrë tashmë detyrat e tij të para kushtetuese si monark, pasi zhvilloi një takim me kryeministren Liz Truss në Pallatin Buckingham.