Katër skuadrat shqiptare Tirana, Laçi, Partizani dhe Vllaznia që u kualifikuan për në Kupat e Europës këtë sezon, tashmë e shikojnë veten jashtë kompeticioneve të UEFA-s.
Skënderbeu ishte skuadra e parë dhe e vetme që “nderonte” Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Në vitin 2015 korçarët shkuan deri në play-off të Champions League, por u eleminuan nga Dinamo Zagreb. Megjithatë ata u kualifikuan në grupet e Europa League.
Që nga ajo kohë, asnjë skuadër shqiptare nuk ka mundur të arrijë atë që bëri Skënderbeu edhe pse skaudra korçare për shkak të trukimit të ndeshjeve prej vitesh tashmë nuk luan në Evropë.
Panorama e sivjetshme e skuadrave shqiptare në Evropë ishte e trishtë
Tirana
Kampionët në fuqi të Superiores, Tirana, u kualifikuan në raundin e parë të UEFA Champions League. Aty u përballën me skuadrën nga Luksemburgu të F91 Dudelange.
Në letër, bardheblutë ishin favorit. Vlera e skuadrës kryeqytetase është gati tre herë më e madhe se e Dudelange.
Por, futbolli luhet në fushë.
Dudelange arriti të befasonte Tiranën në të dy ndeshjet, pasi fitoi 1-0 në shtëpi dhe 2-1 në transfertë.
Pasi nuk mundi të kalonte “modestët” e Luksemburgut, Tirana shkoi në turin e dytë të UEFA Europa Conference League. Aty kishin përballë kampionët në fuqi të Bosnje dhe Hercegovinës, Zrinjski Mostar.
Por edhe në këtë rast, bardheblutë zhgënjyen. Ata humbën ndeshjen e parë në shtëpi 1-0 dhe të dytën 3-2 në transfertë.
Katër ndeshje, asnjë fitore për skuadrën e drejtuar nga Orges Shehi. Teksa pësoi shtatë gola dhe shënoi katër.
Laçi
Skuadra nënkampione e Superiores, Laçi, u duk se kishte gjetur ekuilibrin në ndeshjet evropiane. Kurbinasit po bënin mirë, deri të enjten kur përmbysën gjithçka që kishin ndërtuar.
Në turin e parë të Conference League, skuadra e Laçit kishte arritur të eleminonte malazezët e Iskra Danilovgrad.
Në ndeshjen e parë në transfertë ata morën një barazim pa gola, ndërsa gol i Mentor Mazrekaj në sfidën e kthimit do i dërgonte në turin tjetër.
Në turin e dytë, kurbinasit kishin përballë moldavët e Petrocub Hincesti. Në takimin e parë të luajtur në transfertë, skuadra shqiptare arriti të mbante sfidën në barazim pa gola dhe pse për 70 minuta lujait me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Sebastjan Spahiut.
Laçi dukej se ishte në rrugë të mbarë për ndeshjen e e kthimit, pas asaj paraqitje të zhvilluar në Moldavi. Por, për habit e të gjithëve kurbinasit u shëmbën për 45 minuta.
Mazrekaj ishte heroi në pjesën e parë me golin e realizuar. Derisa erdhi pjesa e dytë dhe Laçi humbi busullën. Miqtë barazuan në minutën e 54. Teksa brenda dy minutave 74-75 ata pësuan dy gola të shpejtë.
Në fund pësuan dhe golin e katërt për t’i vënë kapakun dështimit të tyre në 45 minutat e dyta të sfidës.
Partizani
“Demat e Kuq” nuk arritën të kalonin asnjë raund këtë sezon në Kupat e Evropës. Përballë kishin gjeorgjianët e Saburtalo Tbilisi.
Skuadra kryeqytetase arriti të fitonte në ndeshjen e parë në Gjeorgji me rezultatin minimal 1-0, falë golit të Tedi Carës.
Edhe në këtë rast ndeshja e kthimit do të ishte “fatkeqësia” për skuadrën shqiptare. Në Tiranë, ishin miqtë që fitonin 1-0 dhe ndeshja shkonte deri te 11 metërshat.
Te penalltitë, skuadra mike do të humbiste dy herë gjuajtjet duke i dhënë avantazh Partizanit. Por, “demat” jo vetëm që nuk arritën të përfitonin, por u eleminuan pasi Maguette Gueye gaboi penalltinë e fundit.
Rrugëtimi i Partizanit zgjati vetëm dy ndeshje në turin e parë të Conference League.
Vllaznia
Shkodranët falë koeficentit që kanë në UEFA ishin skuadra e vetme shqiptare që kaloi në turin e dytë të Conference League automatikisht.
Shorti nuk ishte shumë bujar me kuqeblutë që përballë iu vuri rumunët e Universitatea Craiova. Ndeshja e parë në “Loro Boriçi” përfundoi në barazim 1-1, çfarë i dha shpresë Vllaznisë për kualifikim.
Në sfidën e kthimit, shkodranët mbijetuan për 45 minutat e para. Të dytat ishin fatale, pasi pësuan tre gola dhe u eleminuan.
Çfarë rrezikon futbolli shqiptar?
Shqipëria mban vendin e 43 në renditjen e UEFA-s, por nëse arrin në vendin e 51, atëherë aktivizohet skenari i keq me një ekip më pak. Superiorja rrezikon të përfaqesohet me tre skuadra në Evropë, nga katër që ka aktualisht.
Humbja e një vendi në Europë nënkupton në mënyrë direkte më pak të ardhura për futbollin shqiptar.
Paratë nga UEFA, sipas raporteve të saj zyrtare, përbëjnë mbi 70% të të ardhurave që hyjnë në futbollin shqiptar dhe Kupat e Europës janë burimi kryesor.
Renditja në vendet e ulëta në UEFA, i heq mundësinë edhe skuadrave kampione U-19 që të marrin pjesë në UEFA Youth League.