Kristjan Asllani tek Interi, Tomas Strakosha te Brentford, Armando Broja thuajse i Uest Hemit… Kush e ka radhën nga kuqezinjtë? Duket se lojtari i radhë i Kombëtares që do të ndërrojë skuadër është Nedim Bajrami.
Fiorentina, sipas ‘Gazzetta dello Sport’, është gati të shtyjë më fort për fantazistin kuqezi. Bajrami, i datëlindjes 1999, pëlqehet shumë nga klubi vjollcë dhe trajneri Italiano, pas sezonit të mirë që ai ka bërë me Empolin.
Lojtari i Kombëtares do të fuqizonte mesfushën e Fiorentinës, edhe pse trajnerit Italiano më shumë do t’i pëlqente ta aktivizonte Bajramin në një pozicion më të avancuar.
Bajrami është një lojtar që e godet portën nga çdo pozicion dhe që jep pasimin e fundit për sulmuesit. Kalimi i mundshëm te Fiorentina do të ishte një hap i rëndësishëm përpara për futbollistin e Kombëtares. Ashtu si Asllani, edhe ai ka spikatur me fanellën e Empolit.