SHBA-të do të qëndrojnë aktive me partnerët në Lindjen e Mesme, por presidenti amerikan, Joe Biden, nuk ishte i suksesshëm në garantimit e një aksi të sigurisë me përfshirjen e Izraelit në lojë, apo me rritjen e menjëhershme të furnizimit me naftë saudite.
“SHBA-të janë të investuara në ndërtimin e një të ardhmeje pozitive për rajonin, në partneritet me të gjithë ju dhe Amerika nuk do të shkojë asgjëkundi”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në Jeddah sipas një transkripti të fjalimit të tij.
Mirëpo misionet kryesore të vizitës së tij, nuk i arriti dot.
Arabia Saudite, pavarësisht se është aleati arab më i rëndësishëm për Amerikën, hodhi “ujë të ftohtë” sa i përket ndërtimit të themeleve të një aleance rajonale të sigurisë.
Princi i kurorës, Mohammed bin Salman, arriti deri aty madje, sa ta kundërshtonte Bidenin në disa pika që i përkasin çështjeve të të drejtave të njeriut.
Çështjet e tilla sipas bin Salman, mbeten diskutime të vetë shteteve. Çdo vend, ka sistemin e vet të mbrojtjes ajrore dhe një i përbashkët në aleancën kundër Iranit, ndoshta nuk do të jetë i domosdoshëm.
Ministri i Jashtëm saudit, princi Faisal bin Farhan Al Saud ndërkohë, deklaroi se as që e dinte se një diskutim mbi një aleancë të mbrojtjes mes Izraelit dhe Gjirit Persik do të ishte temë bisedimesh në mbretërinë saudite.
Nuk duhet harruar as fakti se Washingtoni, e ka akuzuar drejtpërdrejt princin saudit për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi dhe një rikthim i tillë i bisedimeve në nivel “thuajse vëllazëror”, është deri diku i paimagjinueshëm.
Mbi naftën sërish nuk u arrit gjë, pasi shtim të prodhimit (apo lëshimit në bursë) nga ana e sauditëve nuk do të ketë, pavarësisht krizës së krijuar nga Rusia sa i përket energjetikës.
Një takim i vendeve anëtare të OPEC+ mund të jetë shpresa e radhës më 3 gusht, për shtim të prodhimit të naftës, edhe pse e vështirë duket sërish.
Thënë kjo, Bidenit i duhen gjashtë vende të Gjirit Persik dhe Egjipti, Jordania e Iraku për një aleancë të fortë.
Nga e njëjta anë duket se vendet janë. Por të unifikuar, ende jo.
Ndaj përtej faktit se Biden shkoi realisht në Lindjen e Mesme, asgjë nuk u duk se u arrit. Të paktën asgjë e rëndësishme…