Kolegji i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv ka hedhur poshtë rekursin e federatës dhe klubeve ruse. Zeniti, kampion i Rusisë, nuk mund të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve.
Ankesa e Federatës Ruse të Futbollit kundër UEFA-s dhe FIFA-s, ashtu si dhe ajo e katër klubeve ruse, është ‘djegur’ nga KAS-i. Kjo gjykatë ka lënë në fuqi vendimin për përjashtimin e Rusisë dhe klubeve të saj nga kompeticionet që organizohen nga UEFA dhe FIFA.
Zeniti, Soçi, CSKA e Moskës dhe Dinamo e Moskës kishin kërkuar nga UEFA që të merrnin pjesë në kompeticionet ndërkombëtare, duke dashur të pezullonin dënimin e mëparshëm. Por kjo gjë nuk ka ndodhur.
KAS-i e ka motivuar kështu vendimin: “Kolegji e konsideron fatkqeësi faktin që operacionet ushtarake në Ukrainë, për të cilat skuadrat, klubet dhe lojtarët rusë nuk kanë asnjë përgjegjësi, kanë një efekt negativ ndaj këtyre të fundit pas vendimeve të FIFA-s dhe UEFA-s.
Por këto efekte janë kompensuar nga nevoja e zhvillimit të sigurt dhe të rregullt të eventeve futbollistike për pjesën tjetër”.
KAS-i ka evidentuar faktin se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës ka krijuar rrethana të paparashikuara dhe të paprecedenta, ndaj të cilave FIFA dhe UEFA duhej të reagonin.
Vendimi lë jashtë grupeve të Ligës së Kampionëve Zenitin, ekipin kampion të Rusisë. Edhe Soçi i vendit të dytë do të përjashtohet nga shorti për turin e tretë eliminator të Ligës së kampionëve, që hidhet të hënën.
Federata Ruse ka reaguar, duke mos qenë aspak dakord me vendimin e KAS-it. Tani do të ketë një tjetër rekurs në Gjykatën Supreme Zvicerane, që është e vetmja që mund të anulojë sentencat e KAS-it.
Në anën tjetër, Ukraina ka përshëndetur vendimin e fundit. Skuadrat ukrainase do t’i luajnë ndeshjet europiane të sezonit të ri në fusha neutrale. Shakhtari do të luajë në Poloni.